Arsenali gati të bëjë çmenduri për transferimin e Vinicius, por braziliani ka plane të tjera. Nisin negociatat për rinovimin me Real Madridin

Vinicius Junior nuk po mendon largimin nga Real Madridi. Pavarësisht zërave të fundit pas interesimit të klubit spanjoll për afrimin e Diomande dhe faktit që mbrojtësi ka të njëjtin përfaqësues me brazilianin, Frederico Pena, prioriteti i sulmuesit është rinovimi i kontratës me “Los Blancos”.
Sipas “AS”, edhe dëshira e Real Madridit është e njëjtë: të zgjasë bashkëpunimin me Vinicius, kontrata e të cilit përfundon në vitin 2027.
Situata e brazilianit ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha europiane. Arsenali i Mikel Artetës ka nisur kontaktet paraprake për të mësuar situatën e tij, ndërsa më herët interes ka shfaqur edhe Liverpooli, me synimin për një lëvizje të mundshme në vitin 2027, kur lojtari mund të jetë i lirë.
Megjithatë, para çdo vendimi për të ardhmen e tij, Vinicius dëshiron të ulet me drejtuesit e Real Madridit për të kuptuar rolin e tij në projektin e ri dhe nëse klubi e vlerëson në përputhje me statusin që ka fituar në futbollin botëror.
Bisedimet për rinovimin ishin shumë pranë marrëveshjes, por u ndërprenë pas Botërorit të Klubeve. Distanca mes kërkesave të lojtarit dhe ofertës së klubit ishte zvogëluar ndjeshëm, por palët nuk arritën të mbyllnin marrëveshjen përfundimtare.
Vinicius kërkon një pagë rreth 20 milionë euro neto në sezon, rreth 5 milionë më shumë se përfitimi aktual. Në kontratën e fundit, të firmosur në vitin 2022 deri në 2027, braziliani siguroi rreth 75 milionë euro neto për pesë sezone.
Sulmuesi brazilian është ndjerë në disa momente i nënvlerësuar, sidomos pas afrimeve të mëdha si Jude Bellingham dhe Kylian Mbappé, që kanë marrë një pjesë të vëmendjes në skuadër. Megjithatë, ai mbetet një nga lojtarët kryesorë të Real Madridit, pas kontributit në fitimin e dy Champions League-ve të fundit.
Ideja e Vinicius është të vazhdojë në Madrid, ndërsa klubi dëshiron ta mbajë. Një rinovim i tij do të konsiderohej një nga lëvizjet më të rëndësishme të verës për kampionët spanjollë.


