Presidenti amerikan bën zgjedhjen e tij në basketboll: LeBron James racist, Michael Jordan më i miri në NBA

Presidenti amerikan bën zgjedhjen e tij në basketboll: LeBron James

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e cilësoi yllin e basketbollit LeBron James si “ndoshta racist” gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, pasi u pyet nëse ai është lojtari më i mirë në historinë e NBA-së.

Trump deklaroi se, sipas tij, Michael Jordan mbetet basketbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Duke iu përgjigjur pyetjes për krahasimin mes Michael Jordan dhe LeBron James, Trump tha se Jordan është një mik i tij dhe se luajnë golf së bashku.

“Michael Jordan është një djalë që është mik i imi. Luaj golf me të. Ai është një djalë vërtet i mirë. Mendoj se LeBron është, ndoshta është racist, por ndoshta nuk i pëlqen Trump. Nuk e di. Më pëlqejnë vetëm njerëzit që më pëlqejnë, kështu që do të thoja Michael Jordan në fund të fundit”, u shpreh presidenti amerikan.

Deklarata e Trump erdhi vetëm pak orë pasi LeBron James njoftoi se do ta vazhdojë karrierën e tij në NBA me ekipin Philadelphia 76ers, duke synuar fitimin e titullit të pestë kampion.

James nuk ka reaguar ende ndaj komenteve të presidentit. Megjithatë, marrëdhëniet mes dy figurave kanë qenë të tensionuara prej vitesh. Basketbollisti ka qenë një kritik i vazhdueshëm i Trump dhe ka mbështetur publikisht kandidatët demokratë Hillary Clinton, Joe Biden dhe Kamala Harris në garat presidenciale kundër tij. Në vitin 2017, James e quajti Trumpin “një endacak” gjatë një debati për ftesat në Shtëpinë e Bardhë për ekipet kampione të NBA-së.

LeBron James konsiderohet një nga basketbollistët më të suksesshëm në historinë e NBA-së. Ai ka fituar katër tituj kampion me Miami Heat, Cleveland Cavaliers dhe Los Angeles Lakers, është shpallur katër herë Lojtari Më i Vlefshëm (MVP) i ligës dhe mban rekordet historike për numrin më të madh të pikëve dhe ndeshjeve të zhvilluara në NBA.

Nga ana tjetër, Michael Jordan, të cilin Trump e cilësoi si lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave, fitoi gjashtë tituj të NBA-së me Chicago Bulls dhe u shpall pesë herë Lojtari Më i Vlefshëm i ligës gjatë karrierës së tij.

EMISIONET