Macja me gëzof argjendi dhe sytë si të konturuar/ Njihuni me Burmilla, rraca elegante që dashurohet nga të gjithë

Me gëzofin që duket sikur shkëlqen në dritë, sytë e mëdhenj dhe një karakter të butë, Burmilla është kthyer në një nga racat më të veçanta të maceve për adhuruesit e kafshëve.
Kjo mace nuk tërheq vëmendjen vetëm për pamjen elegante, por edhe për natyrën e saj të qetë, lozonjare dhe lidhjen e fortë që krijon me familjen.
Burmilla lindi në fillim të viteve ’80 në Britaninë e Madhe, krejt rastësisht, nga kryqëzimi mes një mashkulli Persian Chinchilla dhe një femre Burmese.
Kotelet e lindura nga ky çiftim u dalluan menjëherë për pamjen e veçantë dhe temperamentin e butë, duke çuar më pas në krijimin e një race të re.
Trupi i Burmillës është mesatar, muskuloz dhe harmonik. Pesha e saj zakonisht varion nga tre deri në gjashtë kilogramë, ndërsa femrat janë më të vogla se meshkujt.
Tipari më dallues i kësaj race është gëzofi i saj i mëndafshtë, i cili mund të jetë i shkurtër ose gjysmë i gjatë. Nuancat argjendi ose ari në bazë të qimeve krijojnë një efekt të veçantë, sikur macja të ketë një shkëlqim natyral.
Një tjetër element që e bën të veçantë janë sytë e mëdhenj dhe shprehës, të rrethuar nga një vijë më e errët që krijon pamjen sikur janë të konturuar natyrshëm. Shumica e Burmillave kanë sy të gjelbër, megjithëse ngjyra mund të ndryshojë sipas moshës dhe gëzofit.
Përtej pamjes, Burmilla njihet për karakterin e saj miqësor. Ajo është lozonjare, inteligjente dhe shumë e lidhur me njerëzit. I pëlqen të marrë pjesë në aktivitetet e familjes dhe shpesh ndjek pronarin nëpër shtëpi, pa qenë një mace kërkuese.
Kjo racë nuk e përballon mirë vetminë e gjatë, ndaj përshtatet më shumë në ambiente ku ka shoqëri dhe ndërveprim. Burmillat shkojnë mirë me fëmijët, macet e tjera dhe shpesh edhe me qentë që janë mësuar të jetojnë me kafshë të tjera.
Edhe pse pamja e saj duket luksoze, kujdesi për Burmillën nuk është i komplikuar. Krehja një ose dy herë në javë ndihmon në ruajtjen e shkëlqimit të gëzofit dhe largimin e qimeve të rëna.
Kujdesi për veshët, sytë, dhëmbët dhe kthetrat, së bashku me ushqimin cilësor dhe kontrollet veterinare, janë të rëndësishme për shëndetin e saj afatgjatë.
Me një jetëgjatësi që zakonisht shkon nga 12 deri në 15 vjet, e në shumë raste edhe më shumë, Burmilla mund të jetë një shoqe besnike për shumë vite.
Ajo nuk ka nevojë domosdoshmërisht për një hapësirë të madhe, por ka nevojë për lojë, stimulim dhe afërsi me njerëzit. Strukturat për ngjitje, lodrat dhe aktivitetet interaktive e ndihmojnë të mbetet aktive dhe e lumtur.
Burmilla mbetet një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një mace elegante, të zgjuar dhe të dashur, një kombinim i rrallë mes bukurisë së jashtme dhe karakterit të butë.


