“Sot gjithçka është konsum i shpejtë”/ Kotani kritika ndaj nivelit artistik në Shqipëri: Arti u zëvendësua nga tregu

Kompozitori i njohur Miron Kotani, i ftuar në emisionin “Ora e Betit”, ka folur lidhur për nivelin artistik të këngës shqiptare, duke vënë theksin te mungesa e profesionistëve, veçanërisht në poezi dhe tekst.

Kotani u shpreh se tekstet e autorëve të mëdhenj mund të kthehen fare mirë në këngë konkurruese edhe sot, duke përmendur si shembull veprën e Ismail Kadaresë.

“Sot mungojnë profesionistët e poezisë. Dikur kishim Jorgo Papingjin, Arben Dukën, Alqi Boshnjakun dhe pa diskutim Zhuliana Jorganxhin, mbretëreshën e teksteve. Sot është e vështirë të gjesh një pikë reference”, u shpreh Kotani.

Sipas tij, një nga problemet kryesore të muzikës së sotme është fakti që këngëtarët e rinj shpesh bëjnë gjithçka vetë, muzikën, tekstin dhe orkestrimin, duke humbur thellësinë artistike.

“Këngëtari sot thotë i bëj të gjitha vetë. Dhe kur ndodh kjo, gjithçka bëhet anonime dhe shkon drejt konsumit të shpejtë”, theksoi kompozitori.

Kotani shtoi se kjo është arsyeja pse këngët e krijuara para viteve 2000, apo edhe më herët, vazhdojnë të mbeten të dashura për publikun.

“Sa më shumë kthehemi pas në kohë, aq më të bukura janë këngët. Sepse kishin art brenda: poezi, muzikë dhe interpretim”, përfundoi ai.

EMISIONET