Nga menaxhimi i kimikateve, tek siguria ushqimore, Komisioni për Punët e Jashtme miraton 3 projektligje

Nga menaxhimi i kimikateve, tek siguria ushqimore, Komisioni për Punët

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, shqyrtoi dhe miratoi sot tre projektligje në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi.

Në fillim të mbledhjes, komisioni shqyrtoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 27/2016, ‘Për menaxhimin e kimikateve’, të ndryshuar”.

I pranishëm në mbledhje ishte zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, Genti Gazheli, së bashku me stafin shoqërues.

Gjatë prezantimit të projektligjit, Gazheli theksoi se ndryshimet synojnë përmirësimin e kuadrit ligjor për menaxhimin e kimikateve, forcimin e standardeve të sigurisë për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe mjedisit, si edhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Në vijim, komisioni shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim teknik 2025”, të nënshkruar në Tiranë më 5 maj 2026, në kuadër të projektit “Mbështetje e përafrimit të Shqipërisë me BE-në në fushën e sigurisë ushqimore”.

Projektligji u prezantua nga zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tana Kika, e cila vlerësoi rëndësinë e marrëveshjes për forcimin e bashkëpunimit teknik mes dy vendeve, mbështetjen e reformave në fushën e sigurisë ushqimore dhe përshpejtimin e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

Pas diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Në përfundim të mbledhjes, Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, bërë në Bernë më 30 gusht 2025”.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Edona Bilali, theksoi gjatë prezantimit se ratifikimi i kësaj konvente përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me institucionet evropiane të aviacionit civil.

Sipas saj, konventa do të kontribuojë në harmonizimin e legjislacionit kombëtar me standardet ndërkombëtare, rritjen e sigurisë së transportit ajror dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.

Edhe ky projektligj u miratua nga anëtarët e komisionit në parim, nen për nen dhe në tërësi.

EMISIONET