Siguria ushqimore dhe mbrojtja e mjedisit në fokus të kontrolleve gjatë sezonit turistik

Siguria ushqimore dhe mbrojtja e mjedisit në fokus të kontrolleve

Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, në prononcimin për mediat para zhvillimit të trajnimit të radhës me drejtuesit dhe inspektorët e institucioneve të inspektimit në qarkun e Fierit,  si dhe në kuadër të koordinimit të masave dhe prioriteteve të kontrolleve gjatë sezonit turistik.

Gjatë deklaratës për mediat, Sula theksoi se siguria ushqimore mbetet një nga prioritetet kryesore të punës së inspektorateve, veçanërisht në këtë periudhë kur fluksi i turistëve në vend është në rritje.

Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të qarkut të Fierit në prodhimin dhe përpunimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij, ai njoftoi se do të intensifikohen kontrollet në stabilimentet e përpunimit, njësitë e tregtimit dhe subjektet që operojnë në sektorin ushqimor, me synim garantimin e standardeve të sigurisë dhe cilësisë për konsumatorët.

“Siguria ushqimore është një përgjegjësi e përbashkët dhe një element thelbësor për mbrojtjen e shëndetit publik, sidomos gjatë sezonit turistik, kur qarku i Fierit mirëpret mijëra vizitorë në destinacione të rëndësishme si Apolonia, Bylisi dhe Ardenica”, u shpreh Sula.

Gjithashtu ai ritheksoi nevojën e rritjes së monitorimit ndaj subjekteve me ndikim në mjedis, veçanërisht në industrinë e naftës, si dhe për kontrollin e përdorimit të pesticideve në sektorin bujqësor, fusha që kërkojnë vëmendje të shtuar në qark.

Inspektori i Përgjithshëm informoi se është në proces reforma e riorganizimit të sistemit të inspektimit, e cila synon bashkimin e strukturave me kompetenca të përafërta, shmangien e mbivendosjeve institucionale dhe rritjen e efikasitetit të kontrolleve në terren.

Institucionet e inspektimit do të vijojnë angazhimin e tyre për garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore, mbrojtjen e mjedisit dhe ofrimin e një shërbimi më efikas ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

EMISIONET