Robert Louis Stevenson mbi rënien në dashuri dhe dashurimin përtej saj, e vërteta përmes përvojës

Robert Louis Stevenson mbi rënien në dashuri dhe dashurimin

Duket e çuditshme, madje paradoksale, që “durimi” dhe “pasioni”, këto rrënjë binjake të dashurisë, ndajnë të njëjtën origjinë etimologjike, fjalën latine pati, që do të thotë “të vuash”. Por kushdo që ka jetuar dhe ka dashuruar me gjithë shpirt, qoftë duke falur dashuri aty ku nuk merrej mbrapsht, qoftë duke dashuruar një njeri të paaftë për ta kthyer atë, e di mirë se kjo përvojë mund të shndërrohet në instrumentin tonë më të mprehtë të vuajtjes.

Ne themi se “biem” në dashuri pikërisht sepse e ndiejmë rrezikun e lëndimit, e dimë se ajo hapësirë që hapet papritur nën këmbët tona na hedh në humnera të cilat nuk jemi aspak të përgatitur t’i kuptojmë.

Pyetja interesante, pyetja vërtet transformuese, është: Çfarë ndodh pas rënies në dashuri?

Kjo “Është një temë ku as intuita dhe as sjellja e të tjerëve nuk do ta ndihmojnë filozofin të gjejë të vërtetën,” shkruan Robert Louis Stevenson (13 nëntor 1850, 3 dhjetor 1894) në esenë e tij të gjatë, pasionante dhe hulumtuese mbi rënien në dashuri. “Ndoshta nuk ka asgjë të menduar apo të shkruar saktë mbi këtë çështje, që të mos jetë pjesë e përvojës jetësore të vetë autorit.”

Stevenson shkruante nga eksperienca e tij personale. Në moshën 27-vjeçare, teksa luftonte për të bërë emër si shkrimtar, ai ra marrëzisht në dashuri me Fanny Osbourne, një grua radikale, dhjetë vjet më e madhe se ai, ende e martuar ligjërisht me një burrë tradhtar, të cilin e kishte braktisur, dhe që ndiqte shkollën e artit në Paris së bashku me vajzën e saj. Ata përfundimisht u martuan dhe e pasuruan jetën e njëri-tjetrit përtej çdo imagjinate.

“Pa ndikimin e Fannyt,” shkruan Camille Peri në biografinë e saj të shkëlqyer për çiftin, “Louis sot mund të ishte thjesht një emër i harruar i letërsisë, në vend që të ishte një nga zërat më të mëdhenj të letrave skoceze.”

Dashuria, argumenton Stevenson, është e vetmja përvojë që na mahnit vërtet, duke na zgjuar nga gjumi i paragjykimeve dhe pritjeve tona të përditshme. E megjithatë, kur ajo ndodh, "nuk vjen pa një lloj zhgënjimi" teksa shohim pozicionin tonë të ri, të çrregullt, të çorientuar dhe plotësisht jashtë kontrollit.

Kësisoj ai shkruan: “Të biesh në dashuri është e vetmja aventurë jologjike, e vetmja gjë që tundohemi ta quajmë mbinatyrore në këtë botë tonën, të rëndomtë dhe të arsyeshme.”

Kjo ndjenjë, reflekton Stevenson, e mbush qenien me “një ndjesi supreme kënaqësie në çdo grimcë të jetës, në gjumë, në zgjim, në lëvizje, në frymëmarrje, në vetë faktin e të ekzistuarit”. E megjithatë, në qendër të diçkaje kaq konkrete dhe të prekshme, fshihet një mister i madh: “Pasoja është krejtësisht jashtë çdo përpjesëtimi me shkakun. Dy njerëz, asnjëri prej tyre mbase jo jashtëzakonisht i dashur apo magjepsës, takohen, shkëmbejnë pak fjalë dhe shihen për një çast në sy. Kjo është diçka që ka ndodhur me dhjetëra herë në jetën e secilit prej tyre, pa asnjë pasojë. Por këtë herë, gjithçka ndryshon.

Ata bien menjëherë në atë gjendje ku tjetri shndërrohet në thelbin dhe pikën qendrore të krijimit të Zotit, duke i rrëzuar teoritë tona të mundimshme me një buzëqeshje të vetme, një gjendje ku idetë tona lidhen aq fort pas atij mendimi zotërues, saqë edhe vëmendja ndaj gjërave më të imëta të tjetrit kthehet në një akt përkushtimi, dhe vetë dashuria për jetën përkthehet në dëshirën e thjeshtë për të ndarë të njëjtën botë me një krijesë kaq të çmuar.”

Ajo që e bën dashurinë mahnitëse është pikërisht mënyra se si na verbon, fakti që ajo nuk mund të porositet, të planifikohet apo të fitohet me meritë: “Ka shumë gjëra në jetë ku mund ta ndalësh Fatin, duke e lutur të qëndrojë e të të japë një zgjidhje. Puna e palodhur, mendimi i lartë, emocionet aventureske dhe çdo gjë tjetër që përbën kapitalin shpirtëror të një njeriu, janë të arritshme për pothuajse këdo që guxon pak dhe ka durim. Por nuk është aspak në dorën e kujtdo që të bjerë në dashuri… Shumë njerëz të destinuar për njëri-tjetrin në këtë botë humbasin, ose takohen nën një yll të pafavorshëm. Ekziston ai moment i brishtë dhe kritik i shpalljes së ndjenjës që duhet kapërcyer. Nga droja apo mungesa e mundësive, gjysma e rasteve të mundshme të dashurisë nuk arrijnë kurrë deri këtu, dhe një pjesë e mirë e mbetur ndalet dhe shuhet rrugës.”

E megjithatë, dashuria nuk është çështje bindjeje apo negociate. Në njëfarë mënyre, deklarimi i saj me fjalë bëhet i tepërt kur ekzistenca e saj është e vetëkuptueshme dhe e ndërsjellë. Është diçka, vëren Stevenson, ndaj së cilës duhet të tregohemi të përkushtuar, duke ndërthurur pasionin me durimin. Ai përshkruan zhvillimin e dashurisë përtej "aksidentit fillestar të rënies":

“Dashuria duhet të dalë përpara për ta takuar dashurinë me krahë hapur. Në të vërtetë, historia ideale është ajo e dy njerëzve që hyjnë në dashuri hap pas hapi, me një vetëdije të lëkundur, si dy fëmijë që futen së bashku në një dhomë të errët. Që nga momenti i parë i një rryme kurioziteti, përmes fazave të njëpasnjëshme të rritjes së kënaqësisë dhe drojës, ata mund ta lexojnë shqetësimin e tyre në sytë e njëri-tjetrit. Këtu nuk ka nevojë për ndonjë deklaratë të mirëfilltë; ndjenja ndahet me një qartësi absolute.”

Për të mbetur të dashuruar, argumenton Stevenson në një tjetër ese, dy njerëz duhet të sjellin mirësi dhe vullnet të mirë në jetën e tyre të përbashkët. Ai e konsideron elementin më të rëndësishëm të një dashurie afatgjatë, që është njëkohësisht dhurata më e madhe dhe akti më i qëndrueshëm i vullnetit të mirë, vërtetësinë: “Vërtetësia ndaj ndjenjës, e vërteta në marrëdhënie, sinqeriteti ndaj zemrës sate dhe miqve të tu, të mos i shtiresh apo falsifikosh kurrë emocionet, kjo është e vërteta që e bën të mundur dashurinë… Me miqtë tanë të zgjedhur… dhe akoma më shumë midis të dashuruarve (sepse mirëkuptimi i ndërsjellë është thelbi i dashurisë)… ne duhet të përpiqemi dhe të luftojmë për të vërtetën.”

Një shekull më vonë, poetja Adrienne Rich do ta ritakonte këtë mendim në përkufizimin e saj të pavdekshëm për dashurinë si “një proces, delikat, i dhunshëm dhe shpesh i tmerrshëm për të dy personat e përfshirë, një proces i rafinimit të të vërtetave që ata mund t’i tregojnë njëri-tjetrit”.

Përgatiti: Albert Vataj

EMISIONET