Papa poetëve dhe shkrimtarëve: Kisha ka nevojë për gjenialitetin tuaj!
Françesku, duke takuar pjesëmarrësit në një konferencë organizuar nga "La Civiltà Cattolica" dhe Universiteti Georgetown, i nxiti shkrimtarët e angazhuar në fronte të ndryshme të letërsisë e të arteve, të krijojnë vizione, që "ndihmojnë për të lexuar misterin e jetës njerëzore": mos e lini imagjinatën tuaj të kotet, u kujtoi, ndihmojeni njeriun të ëndërrojë!
R. SH. - Vatikan
Poetë, shkrimtarë, skenaristë. Iu drejtua këtyre dhe artistëve të tjerë, ndërmjet të cilëve regjisori amerikan Martin Scorsese, fjala e mbajtur nga Françesku në takimin e sotëm, në Vatikan, me pjesëmarrësit e Konferencës, që kishte në qendër temën: “Estetika globale e imagjinatës katolike”. Papa kujtoi se ka dashur shumë poetë dhe shkrimtarë e, ndërmjet tyre, veçanërisht Danten dhe Dostojevskin. Kujtoi edhe periudhën në të cilën u jepte mësimin e letërsisë studentëve të Colegio de la Inmaculada Concepción në Santa Fe. E nënvizoi, më pas, se vlera e letërsisë dhe e poezisë nuk është e dorës së dytë në jetën e tij. Papa Françesku është edhe Papa i poezisë,
Fjalët e shkrimtarëve - kujtoi - më ndihmuan të kuptoja veten, botën, njerëzit e mi; por edhe për të thelluar zemrën time njerëzore, për të thelluar jetën time personale, fenë, madje edhe detyrën time baritore, e tani, edhe këtë shërbesë. Prandaj fjala letrare është si një gjemb në zemër, që të shtyn në përsiatje dhe të vë për udhë. Poezia të krijon hapësirë të pafundme, të çon atje, ku nuk e mendon!”.
Këtë theksoi Papa. E më pas shkëmbei shumë mendime mbi vlerën e fjalës, që bëhet letërsi.
Shikoni dhe ëndërroni
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në konferencën organizuar nga Civiltà Cattolica dhe Universiteti Georgetown, Françesku pohoi se sytë e artistëve shikojnë botën, në drejtim të dyfishtë. "Sytë e poetëve shikojnë dhe ëndërrojnë".
Jo vetëm shikojnë, por edhe shohin ëndrra me sy hapur! Ne, njerëzit, dëshirojmë një botë të re, që ndoshta nuk do ta shohim plotësisht me sytë tanë, megjithatë e dëshirojmë, e kërkojmë, e ëndërrojmë. Një shkrimtar i Amerikës Latine pati thënë se kemi dy sy: njërin prej mishi, tjetrin prej qelqi. Me atë prej mishi shikojmë atë që shohim, me atë prej qelqi shikojmë atë që ëndërrojmë. Vaj medet për ne, po të pushojmë së ëndërruari!
Një sy që dëgjon
Artist, pra - kujtoi Papa - është “njeriu që shikon e njëkohësisht edhe ëndërron. Është njeri që “sheh më thellë” duke i dhënë formë një mënyre të ndryshme të “të kuptuarit e gjërave, që i kemi parasysh”. Poezia, shtoi, ndihmon për ta "kuptuar zërin e Zotit edhe nga zëri i kohës":
“Juaji është - për të cituar Paul Claudel - "syri dëgjues". Sy, që dëgjon. Arti është kundërhelm i mendësisë së llogaritjes, kundërhelm i uniformitetit; është sfidë për imagjinatën tonë, për mënyrën si i shikojmë e si i kuptojmë gjërat. Në këtë kuptim vetë Ungjilli është sfidë artistike, me ngarkesë “revolucionare” që je i thirrur ta shprehësh falë gjenisë sate me një fjalë që proteston, që thërret, që bërtet herë-herë deri në kupë të qiellit! Sot Kisha ka nevojë për gjeniun tuaj, sepse ka nevojë të protestojë, të thërrasë e edhe të bërtasë!”.
Poezia dhe ankthet e njeriut
Poetët, shkrimtarët, skenaristët dhe regjisorët janë, atëherë, “zëri i anktheve njerëzore”, që shumë herë “varrosen në thellësi të zemrës”. Tek ky horizont u ndalua Papa, duke theksuar se frymëzimi artistik është jo vetëm ngushëllues, por edhe shqetësues, mbasi nuk paraqet vetëm realitetet e bukura të jetës, por edhe ato tragjike.
“Të mendojmë, për shembull, Dostojevskin kur, në "Vëllezërit Karamazov", përshkruan një fëmijë të vogël, djalin e një shërbëtoreje, i cili hedh një gur dhe godet putrën e njërit prej qenve të zotërisë së tij. E zotëria ia lëshon fëmijës të gjithë qentë. Ai ikën dhe përpiqet të shpëtojë nga furia e tufës, por përfundon duke u bërë copë-copë para syve të kënaqur të gjeneralit dhe syve të dëshpëruar të nënës. Kjo skenë ka fuqi të jashtëzakonshme artistike dhe politike: flet për realitetin e djeshëm dhe të sotëm, për luftërat, konfliktet sociale, egoizmin tonë personal”.
Poezia përmbledh shqetësimet tona
Sy, që ëndërrojnë. Zë shqetësimesh njerëzore. Poetët, tregimtarët, regjisorët dhe artistët - shton Papa - janë edhe "ata që formojnë imagjinatën tonë". Një vepër, që lë gjurmë në imagjinatën shpirtërore të njerëzve të kohës sonë, veçanërisht në lidhje me figurën e Krishtit.
Puna juaj – vijoi Ati i Shenjtë - na ndihmon të shohim Jezusin, të shërojmë imagjinatën tonë nga çdo gjë që errëson fytyrën e Tij ose, akoma më keq, nga gjithçka që dëshiron ta zbusë Atë. Të zbutësh fytyrën e Krishtit, kur përpiqesh ta përcaktosh dhe ta fusësh në skemat tona, do të thotë të shkatërrosh përfytyrimin e Tij: Zoti na befason gjithmonë, Krishti është gjithmonë më i madhi, ai është gjithmonë mister që disi na ikën. Është e vështirë ta vendosësh në një kornizë dhe ta varësh në mur.
Zemra të hapura për të papriturat e Zotit
"Zoti - shpjegoi Papa duke folur lirisht - na befason gjithnjë e, kur nuk e ndiejmë befasimin e Tij, domethënë se diçka nuk shkon: zemra jonë është e shuar, e mbyllur". Kjo është sfida që kujtoi Françesku "për imagjinatën katolike të kohës sonë":
“Zoti na çudit gjithnjë e kur nuk e ndjemë praninë e tij, do të thotë se diçka nuk shkon: zemra jonë ka marrë fund! Zemra është e mbyllur!”
E kjo ishte, në fund, sfida që ceku Françesku “për imagjinatën katolike të kohëve tona”: “nuk duhet të na shpjegojë misterin e Krishtit, që është i pashterrshëm, por të na ndihmojë ta prekim, ta dëgjojmë, ta bëjmë tonën bukurinë e premtimit të Tij. Sepse premtimi i Tij - pohoi në përfundim Papa - e ndihmon imagjinatën tonë; na ndihmon ta imagjinojmë në një mënyrë të re jetën tonë, historinë tonë ardhmërinë e njerëzimit!”.