Nxënësit sfidojnë dijet e tyre në fazën II të Olimpiadës së Gjeografisë

Kjo e shtunë ka qenë një ditë sfiduese dhe motivuese për nxënësit pjesëmarrës në fazën e dytë të Olimpiadës së Gjeografisë, të cilët vunë në provë njohuritë e tyre të avancuara dhe aftësinë për të analizuar çështje që lidhen me botën, hapësirën, natyrën dhe mjedisin.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vlerësoi angazhimin, pasionin dhe përkushtimin e nxënësve për gjeografinë, si një shkencë që studion sfidat globale dhe marrëdhëniet e njeriut me mjedisin natyror.
Sipas ministres, olimpiada shërben si një nxitje për mendimin kritik dhe zhvillimin e talenteve të reja në fushën e shkencave, duke i inkurajuar nxënësit të sfidojnë veten dhe të thellojnë njohuritë e tyre.
Ministrja u uroi suksese të gjithë pjesëmarrësve në fazat e mëtejshme të konkurrimit.

