Muzika përballë katastrofës - Violina që shoqëroi me tinguj çastet e fundit të tragjedisë së Titanikut

Më 14 prill 1912, në ujërat e akullta të Atlantikut Verior, ndërsa Titaniku përplasej me fatin e tij të pashmangshëm, një grup muzikantësh zgjodhën të mos braktisnin vendin e tyre. Në krye të tyre ishte Wallace Hartley, violinist dhe drejtues i orkestrës së anijes.
Kjo është violina e tij, instrumenti që, sipas dëshmive të mbijetuarve, vazhdoi të tingëllojë deri në çastet e fundit, ndërsa anija fundosej dhe mbi 1500 pasagjerë humbnin jetën.
Muzika përballë katastrofës.
Orkestra e Titanikut përbëhej nga tetë muzikantë. Ata nuk ishin pjesë e ekuipazhit detar, por artistë të punësuar për të argëtuar pasagjerët e klasave të ndryshme. Megjithatë, në natën fatale, roli i tyre mori një dimension tjetër, muzika u bë akt qetësimi, disipline morale dhe, në njëfarë mënyre, dinjiteti.
Dëshmitarët okularë rrëfyen se banda vazhdoi të luante himne dhe pjesë të njohura edhe kur kuverta po anonte dhe paniku po përhapej. Një nga meloditë që përmendet shpesh është himni “Nearer, My God, to Thee”, ndonëse historianët vazhdojnë të debatojnë mbi repertorin e saktë të minutave të fundit.
Hartley dhe muzikantët e tij nuk tentuan të shpëtonin. Ata qëndruan. Ky vendim i bëri figura simbolike të vetëflijimit civil.
Më 4 maj 1912, anija kërkimore Mackay–Bennett gjeti trupin e Hartley-t në det. Ai ishte ende i veshur me uniformën e tij formale. Në shpinë kishte të lidhur kutinë e violinës.
Trupi u kthye në Angli. Në Colne, Lancashire, vendlindja e tij, mijëra njerëz dolën për të ndjekur kortezhin mortor. Ai u varros me nderime të plota. Në varrin e tij përkujtohet përkushtimi dhe sakrifica e tij, jo si hero ushtarak, por si artist që zgjodhi të mos heshtë përballë katastrofës.
Për dekada me radhë, violina u konsiderua e humbur. Derisa në vitin 2006, një instrument i ruajtur në një papafingo britanike doli në dritë. Brenda kutisë prej lëkure ndodheshin inicialet “W. H. H.”
Filloi një proces i gjatë verifikimi. Shtëpia e ankandeve Henry Aldridge & Son ndërmori hetime historike, ndërsa Shërbimi i Shkencës Ligjore në Britani realizoi analiza materiale dhe forensike mbi drurin, metalet dhe gjurmët e kripës.
Në mars 2013 u konfirmua zyrtarisht, kjo ishte violina e Wallace Hartley-t.
Një detaj veçanërisht prekës ndihmoi identifikimin, një pllakë e vogël argjendi me një dedikim nga e fejuara e tij, Maria Robinson, e datuar më 1910. Ishte një dhuratë dashurie, që do të bëhej relike e një sakrifice.
Në tetor 2013, violina u shit në ankand për rreth 1.7 milion dollarë, duke u bërë një nga objektet më të vlefshme të lidhura me Titanikun. Sot ajo ekspozohet periodikisht në muze dhe ekspozita tematike.
Por vlera e saj nuk qëndron vetëm në çmim.
Ajo është dëshmi e një zgjedhjeje etike, të qëndrosh në vendin tënd kur gjithçka rrëzohet. Në një kohë paniku kolektiv, muzika u bë formë rezistence shpirtërore.
Kjo violinë nuk është thjesht një instrument druri me katër tela. Ajo është metaforë e qytetërimit përballë katastrofës. Tingujt e saj, realë apo të imagjinuar nga kujtesa historike, përfaqësojnë përpjekjen e njeriut për të ruajtur dinjitetin në çastin e humbjes.
Në atë natë të ftohtë prilli, ndërsa oqeani mbyllej mbi një anije të quajtur “e pagjymtë”, muzika dëshmoi se njeriu, edhe kur nuk mund të fitojë ndaj fatit, mund të zgjedhë mënyrën si e përballon atë.
Përgatiti: Albert Vataj


