MISTERET E ARTIT/ Gjenevra de Benci, sprova e parë e Leonardo da Vinçit

MISTERET E ARTIT/ Gjenevra de Benci, sprova e parë e Leonardo da

Mjeshtri i Rilindjes së Artë, Leonardo da Vinçi ishte vetëm 26 vjeç kur përfundoi portretin e Gjenevra de 'Benci. Plot 39 vite më vonë ai "nxori" në jetë Mona Lizën, një tjetër portret gruaje, ajo që do të ishte skaji i epërm i mbërritjes së mjeshtrit.

Portret i Gjenevra de 'Benci është një pikturë e realizuar nga Leonardo da Vinci rreth viteve 1474-1478. Është me bojra vaji, realizuar në dru. Përmasat e saj janë 42 x 37 cm. Aktualisht kjo pikturë është në pronësi të Galerisë Kombëtare të Artit, Washington, DC dhe konsiderohet si e vetmja pikturë e Leonardo da Vinçit që ndodhet në Amerikë.

Gjenevra de 'Benci ishte vajza e një bankieri të pasur fiorentin, dhe portreti i saj ishte e porositur për kohën e martesës së saj në moshën 16-vjeçare. Mjeshtri asokohe ishte ende nxënës i Verrochio kur realizoi këtë punë. Portreti është një ndër eksperimentet e tij më të hershme të punës me bojrat e vajit në dru.

Disa rrudhosje të sipërfaqes së pikturës, tregojnë se ai ishte ende duke mësuar për ta kontrolluar këtë teknikë dhe zotëruar magjinë e krijimit. Megjithatë, vëzhgimi i kujdesshëm i natyrës dhe tredimensionaliteti delikat i fytyrës së Gjenevrës, padyshim që i referohet natyralizmit të ri, me të cilin Leonardo da Vinçi do të transformonte pikturat e Rilindjes.

Karakteristika e portretit të Gjenevrës zbulojnë të riun Leonardo si novator. Ai e vendosi atë në një mjedis të hapur, ndërkohë që gratë, aristokratet dhe ato në periudhën paramartesore, veçanërisht, mbaheshin nën përkujdesje të rreptë shërbëtorësh dhe kujdestarësh, brenda mureve të shtëpive të tyre familjare, dhe peisazhet mund të bëheshin pjesë e jetës së tyre vetëm nga dritaret e hapura.

Gjenevra de 'Benci është një nga 17 pikturat ekzistuese që i atribuohen Leonardo da Vinçit. Ndryshe nga portretet e tjera të Leonardos, me tematikë gratë, kjo zonjë duket e ngrysur, e ndrojtur dhe krenare. Ky tipar theksohet nga vështrimi i saj. Syri i saj i majtë duket se është i drejtuar direkt nga ne, ndërsa i djathta duket i anuar përtej në një pikë të vdekur.

Ashtu si gratë e tjera fiorentine, por edhe ato të gatitjes për martesë, Gjenevra de 'Benci i ka hequr vetullat, gjë e cila do të jetë lehtësisht e dukshme edhe te Mona Lisa. Shprehja e Gjenevrës tregon se ajo nuk është e lumtur për martesën e saj të ardhshme.

Ndoshta është edhe karakteristikë e vetë personalitetit të saj, por gjithsesi piktori e ka evidentuar më fuqimisht këtë tipar si shprehje e gjendjes së saj të trazuar emocionale. Kjo vrazhdësi e tipareve ndoshta është edhe një lloj droje për një 16-vjeçare që pret të bëhet bashkëshorte, grua, nënë, të marrë mbi vete jetën, nga ajo e një vajze të shkujdesur tek ajo e një zonje ku gjithçka është e diktuara dhe tepër e rreptë.

Në një farë mënyre ajo që Leonardo ka shprehur me portretin e kësaj vajze është edhe historia e jetës së saj të mëvonshme. Një martesë në moshë fare të re. Një ikje diku larg dhe e torturuar nga një dashuri e keqe, një ndjenjë që i shuan një e nga një të gjitha dritat e shpirtit të saj.

Kjo pamje e mermertë është përpjekur të ngrohet me elementë përbërës të portretit dhe sfondit, por gjithsesi ajo është trishtuar. Një shprehi që ndjehet edhe sot.

gjenevra de benci leonardo da vinçi albert vataj

EMISIONET