Festivali “Dea Open Air” shpall fituesit e edicionit të 13-të

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” shpalli fituesit e edicionit të 13-të, në një ceremoni gala të zhvilluar në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve.
Singular (Unik) – Alberto Gastesi (Spanjë / Finlandë, 2025) u vlerësua si Filmi më i Mirë, mes tre prodhimeve kinematografike të nominuara Gülizar – Turqi, 2025 dhe Jet Lag in Summer (Verë pa Orë) – Kinë / Hong Kong / SHBA, 2025.
Nën moton “Qiell i hapur. Mendje të hapura!”, festivali mblodhi këtë vit 40 filma nga 25 vende të botës dhe rreth 30 kineastë të ftuar nga 12 prej tyre, duke konfirmuar edhe një herë rolin e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinemasë artistike në Shqipëri dhe rajon.
Ky event bëri bashkë trupin diplomatik të akredituar në vendin tonë, kineastë, artistë, gazetarë, studiues dhe studentë, të cilët jo vetëm besojnë në fuqinë e kinemasë, por mundësojnë dialog, reflektim dhe mirëkuptim.
“Dea me këmbëngulje nuk ndjek trende – por investohet te konsolidimi i profilit të vet, si festival i përmbajtjes’’, u shpreh gjatë prezantimit të festivalit drejtoresha artistike Mirela Oktrova, duke theksuar rëndësinë dhe çelësin e suksesit në ecurinë e 13 viteve rrugëtim.
’’Edhe këtë vit, të pranishëm fizikisht apo përmes veprave të tyre, kineastët pjesëmarrës ndanë me publikun histori, përvoja dhe këndvështrime, duke ridëshmuar se kinemaja mbetet një nga mjetet më të fuqishme për të eksploruar botën dhe për të kuptuar vetveten’’, u shpreh Oktrova.

Për drejtorin dhe ideatorin e Festivalit “Dea Open Air”, Edmond Topi, kinemaja na kujton edhe një herë se të kuptosh tjetrin është hapi i parë drejt ndërtimit të një bote më humane.
’’Në një kohë kur shoqëritë tona përballen me polarizim, pasiguri dhe paragjykime, kinemaja na kujtoi edhe një herë se të kuptosh tjetrin është hapi i parë drejt ndërtimit të një bote më humane”, tha ai.
Në fjalën përshëndetëse të këtij eventi të rëndësishëm që ndodhi në kryeqytet nga 1-5 qershor, vlerësim për qëndrueshmërinë prej më shumë se një dekade festival dha edhe Jonid Jorgji, kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
“Përgëzoj organizatorët për organizimin, për qëndrueshmërinë prej 13 vitesh të këtij festivali, pavarësisht sfidave. Më vjen mirë, që në gjithë këto zhvillime që ka sot Tirana gjej një kinema të mbushur plot. Është e bukur që krahas morisë së këtyre eventeve organizohet një festival filmi dhe ndërmjetësohet kinema”, shtoi ai.
Konkurrimi kryesor i festivalit përfshiu 7 filma me metrazh të gjatë, përmes bashkëprodhimeve ndërkombëtare, që përfaqësuan Turqinë, Poloninë, Holandën, Kirgistanin, Italinë, Spanjën, Finlandën, Kinën, Hong Kongun dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aktorja më e mirë që rrëmbeu trofeun e Festivalit DEA ishte Bekir Behrem – Gülizar (Turqi, 2025).
DEA për Aktoren më të Mirë shkoi për edhe për një tjetër emër, artisten italiane Elisabetta Pellini në Filmin me metrazh të gjatë La Terza Volta (Hera e Tretë) (Itali, 2025).
DEA për Kinematografinë më të Mirë shkoi për Mateusz Skalski – Debate (Debati) (Gjermani / Holandë / Poloni, 2025).
Fitues për Skenarin më të Mirë: Álex Merino & Alberto Gastesi – Singular (Unik) (Spanjë / Finlandë, 2025).
Fitues për Regjinë më të Mirë: Wojciech Nowak – House of the Chosen (Të Përzgjedhurit) (Poloni, 2024).
Në konkurrimin e Filmit Studentor morën pjesë 18 filma nga 17 vende të botës.
DEA për Filmin më të Mirë Studentor shkoi për filmin nga Irani “Pasta Alfredo” – Leila Noee (Iran, 2025)
Përmendje të veçanta të Jurisë
• Termokiss Has No Borders – Korab Jashari & Tea Krasniqi (Kosovë, 2025)
• Breast and Bombs (Gjoks dhe Bomba) – Ogerta Spahiu (Shqipëri, 2025)
Programi i Filmit të Shkurtër përfshiu 15 filma nga 10 vende të botës, ndërsa fitues u shpall When the Tiger Roars (Kur Ulërin Tigri) – LAM Can-zhao (Kinë, 2025).
Çmimi i Medias për Filmin e Shkurtër u dha për Felix & Fernand – Oscar Buenafuente & Thierry Buenafuente (Francë, 2025).
Juria e Medias vlerësoi me çmim filmin me Metrazh të Gjatë Kurak (Mozaik) – Erke Dzhumakmatova (Kirgistan, 2025).
Gjatë pesë ditëve të festivalit, publiku pati mundësinë të ndiqte filma që trajtonin tema si identiteti, kujtesa, drejtësia sociale, liria, dashuria, humbja dhe shpresa, duke sjellë në ekran histori nga kultura dhe realitete të ndryshme njerëzore.
Ndaj ÇMIMI I PUBLIKUT TË TIRANËS dorëzoi kupën DEA për Gülizar – Belkıs Bayrak (Turqi, 2025).
Një vend të rëndësishëm në program zuri edhe Akademia DEA, e cila përmes Takimit Rajonal të Shkollave të Filmit vazhdoi të nxisë bashkëpunimin mes institucioneve të edukimit filmik në rajon.
Në kuadër të saj u prezantua projekti krijues “Tirana – Dashuria Ime”, realizuar nga studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, si dhe filmi “Liqeni”, i xhiruar gjatë ditëve të festivalit në Tiranë.
Gjatë ceremonisë, Dea Open Air i akordoi Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës një Certifikatë Falënderimi për partneritetin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndër vite.
DEA e Mirënjohjes iu akordua regjisorit Esat Musliu, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij shumëvjeçar në kinematografinë shqiptare.
DEA Homazh iu kushtua operatorit të njohur të filmit Ilia Terpini, një prej autorëve të imazheve më të rëndësishme në historinë e kinemasë shqiptare.
Me përmbylljen e edicionit të trembëdhjetë, Dea Open Air rikonfirmoi misionin për të promovuar kinemanë cilësore, dialogun kulturor dhe shkëmbimin ndërkombëtar artistik, duke i dhënë takim publikut, kineastëve dhe partnerëve të tij në edicionin e vitit 2027.


