Shkencëtarët zbulojnë të dhëna të reja për një kurë të mundshme të HIV-it
![]()
Shkencëtarët po studiojnë një grup shumë të rrallë njerëzish të quajtur “elite controllers” (kontrollues elitarë), organizmi i të cilëve arrin të mbajë nën kontroll virusin HIV pa pasur nevojë për trajtim. Një nga rastet më të njohura ishte ai i Loreen Willenberg, e cila rezultoi pozitive me HIV në vitin 1992, por jetoi për më shumë se tre dekada pa marrë ilaçe antiretrovirale dhe pa zhvilluar AIDS, sipas BBC!
Edhe pse HIV zakonisht sulmon sistemin imunitar dhe dobëson gradualisht aftësinë e organizmit për t’u mbrojtur nga infeksionet, te kontrolluesit elitarë ndodh diçka e pazakontë. Sistemi i tyre imunitar arrin të shtypë virusin në nivele aq të ulëta sa ai bëhet pothuajse i pazbulueshëm.
Kjo ndodh vetëm te rreth 0,5% e personave të infektuar me HIV.
Rasti i Willenbergut u bë edhe më i jashtëzakonshëm kur ajo u diagnostikua me kancer në stad të avancuar në vitin 2022. Trajtimet kundër kancerit dobësuan sistemin e saj imunitar, gjë që teorikisht do të duhej t’i jepte mundësi HIV-it të rikthehej.
Megjithatë, studiuesit nuk arritën të gjenin shenja të virusit në miliarda qeliza të analizuara.
Sipas Xu Yu, profesoreshë në “Ragon Institute”, analizat e detajuara nuk zbuluan asnjë virus aktiv në organizmin e Willenbergut.
Kjo ka bërë që shumë shkencëtarë të besojnë se ajo mund të ketë arritur një lloj shërimi natyror nga HIV-i, diçka që deri para pak vitesh konsiderohej pothuajse e pamundur.
Një rast i ngjashëm është edhe ai i të ashtuquajturës Esperanza patient në Argjentinë, e cila gjithashtu mendohet se mund të jetë çliruar natyrshëm nga virusi.
Këto raste po u japin studiuesve shpresë se mekanizmat mbrojtës të këtyre individëve mund të përdoren për të zhvilluar terapi të reja ose madje një kurë për HIV-in.
Normalisht, HIV-i fut materialin e tij gjenetik në ADN-në e qelizave dhe krijon rezervuarë të fshehur në organizëm, gjë që e bën shumë të vështirë eliminimin e plotë të virusit.
Megjithatë, studimi i kontrolluesve elitarë po tregon se në rrethana shumë të rralla sistemi imunitar mund të arrijë ta neutralizojë ose ta eliminojë virusin.


