Ekspozita e jashtëzakonshme e ikonave shqiptare, gati për vizitorët e Chambery

Ekspozita e jashtëzakonshme e ikonave shqiptare, gati për

Në qytetin Chambéry të Francës, kanë përfunduar përgatitjet për ekspozitën “Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”, e cila nesër ka ceremoninë e inaugurimit për të pritur vizitorët.

Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti gjendet në Chambery prej disa ditësh duke u kujdesur për ekspozitën. Në Musée des Beaux-Arts de Chambéry, nesër do të jetë i pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja si edhe kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo.

Çelja e ekspozitës konsiderohet një ngjarje e veçantë edhe për qytetin Chamberi, bashkia e të cilit shkroi në faqen e saj online:

“Ato kaluan Ballkanin për t’u bashkuar me Chambery-n. Ikonat e Shqipërisë janë këtu! Pas shekujsh historie, thesaret e çmuara të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë më në fund kanë zënë vend në Muzeun e Arteve të Bukura. Gjatë ditëve të fundit, prapa skenave, ekipet janë marrë me: shpaketimin e plotë, regjistrimet shtetërore, ekspozimin. Magjia e ekspozitës tashmë po funksionon.”

Bashkia Chambery e konsideroi të jashtëzakonshme këtë ekspozitë dhe ftoi qytetarët në ceremoninë hapëse nesër, në orën 11:00, për një udhëtim përmes historisë dhe artit, në Muzeun e Arteve të Bukura, P. Palais de Justice.

Kjo është hera e parë që 45 ikona të përzgjedhura nga fondi i jashtëzakonshëm i MKAM, do të prezantohen para publikut francez, duke forcuar urat e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe duke promovuar vlerat e trashëgimisë sonë në skenën evropiane.

EMISIONET