Rritja e rasteve të infektimit nga koronavirusit e detyroi qeverinë e Kosovës të ashpërsojë masat dhe të kufizojë edhe më tej lëvizjen e qytetarëve. Kryeministri Avdullah Hoti, njoftoi se masat e reja do të hyjnë në fuqi të premten.

Masat më të rrepta janë për komunat e cilësuara zonë e kuqe, ku veprimtaria ekonomike do të lejohet nga ora 05:00 deri në orën 19:00, ndërsa pas kësaj ore do të mbyllen të gjitha, përfshirë lëvizja e qytetarëve.

Rreziku më i lartë është në komunat që tejkalojnë 150 të infektuar brenda javës. Janë 7 komuna dhe duke e pa madhësinë i kemi marrë dy veprime, e lejojmë aktivitetin ekonomik të zhvillohet deri në orën 19:00. Nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i lëvizjes së qytetarëve në këto komuna. Ndalohet hyrje-daljet nga këto komuna nga ora 19:00 deri në orën 05:00“, tha ai.

Kryeministri Hoti tha se ekipet mjekësore do të kthehen në kufi, ndërsa mësimi në Universitete do të mbahet vetëm online.

“Kemi kërkuar nga komunat që të ngrenë shtabet e tyre emergjente për të mbikëqyrur personat që janë të prekur me COVID-19, të sëmurët kronik. Kemi rregulluar funksionimin e disa sektorëve të ekonomisë, lejohet sektori i prodhimit, ndërtimit, të transportit të mallrave dhe distribuimit. Këto masa janë për tërë territorin e Kosovës“, tha Hoti.

Kosova është duke u ndeshur me një valë të dytë përhapjeje të koronavirusit, shoqëruar me numër të lartë rastesh ditore dhe viktimash. Ndërkohë ndaj masave të reja të qeverisë reagoi Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare. Ajo e sheh shqetësuese për izolimin e dytë të vendit dhe theksoi se në këtë situatë epidemiologjike duhet miratuar me shpejtësi Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.