Komisioni Evropian ngre shqetësimin për ndërtimin e aeroportit në territorin e mbrojtur Vjosë-Nartë

Komisioni Evropian ngre shqetësimin për ndërtimin e aeroportit

Përmes një njoftimi për shtyp, Protection and Preservation of Natural Environment in Albania bën me dije se raporti i komisionit evropian ngre shqetësimin për ndërtimin e aeroportit në territorin e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë.

PPNEA shkruan se në raport theksohen problematika thelbësore në fushën e ruajtjes së natyrës, të cilat kërcënojnë territorin e zonave të mbrojtura nëpërmjet planifikimit të investimeve masive, si ndërtimi i një aeroporti brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Aty shtohet se ndërtimi i të tilla infrastrukturave kërcënon vlerat ekologjike të zonës, duke rënë ndesh me ligje kombëtare apo konventa ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës e të biodiversitetit.

"Laguna e Nartës dhe ekosistemi përreth përbën një nga ligatinat më të mëdha e të rëndësishme në Shqipëri e Mesdhe. E ndodhur në një pjesë kyç të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, kjo sipërfaqe është zyrtarisht kandidate për tu shpallur si zonë Emerald nën Konventën e Bernës, për shkak të rëndësisë që përfaqëson për ruajtjen e natyrës dhe jetës së egër. Akoma më tej, kjo zonë është në proces studimi lidhur me identifikimin e habitateve të rrjetit Natura 2000, pjesë e Direktivës Evropiane të Habitateve e Shpendëve.

Sipas të dhënave tona, kjo zonë përmbush të gjithë kriteret për tu shpallur si “Ligatinë me Rëndësi Ndërkombëtare” nën Konventën Ramsar. Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë është shtëpi për një shumëllojshmëri shpendësh, të cilët gjejnë në të kushte të përkryera për të folezuar, ushqyer, dimëruar, apo pushuar gjatë shtegtimit. Nëse planet e sipërpërmendura implementohen, kjo zonë do të humbasë çdo vlerë për natyrën e jetën e egër, duke sjellë jo vetëm humbjen e një zone të mbrojtur, por një ekosistemi unik që nuk ndodhet askund tjetër në Shqipëri." - shkruan PPNEA

Ndërkohë, në raportin për Shqipërinë, Komisioni Evropian diskuton për këtë problematikë në Kapitullin 27 si më poshtë:

"Përputhja me acquis në fushën e ruajtjes së natyrës, në veçanti lidhur me Direktivën e Habitateve e të Shpendëve, është zhvilluar në mënyrë të konsiderueshme, por politikat dhe zbatimi i ligjit mbeten përgjithësisht të dobëta, pavarësisht aktiviteteve të shumta për ngritjen e kapaciteteve dhe asistencës teknike. Ligji mbi zonat e mbrojtura u amendua në vitin 2018 për të vendosur theksin në planifikimin dhe zhvillimin e këtyre zonave.

Legjislacioni mbi investimet strategjike ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit, për arsye se mund të lejojë investime të mëdha turistike apo industriale brenda zonave të mbrojtura, si p.sh. aeroporti i propozuar në territorin e Vjosë-Nartës. Ky plan bie në kundërshtim me të tjerë ligje kombëtar, apo konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit që Shqipëria ka ratifikuar. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ende zotëron kapacitete dhe instrumente financiarë të limituar, kjo për shkak të ndalimit të saj ligjor për të qenë e pavarur financiarisht.

Shqipëria duhet të sigurojë zbatimin e ligjit në fusha si shpyllëzimi apo prerja e jashtëligjshme e pyjeve, si dhe të procedojë penalisht kundrejt fajtorëve. Raportimet e krimeve mjedisore janë rritur në 6 muajt e fundit, sidomos mbi shpyllëzimin, prerjen e paligjshme të pyjeve, zjarrvënie, gjuetinë, tregtinë e jetës së egër dhe specieve të mbrojtura, gërryerjen e shtretërve të lumenjve, apo hedhjen e mbeturinave në to.

Investimet për hidrocentrale duhet të përputhen me detyrimet kombëtare e ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës, menaxhimin e ujërave, si dhe të përfshijnë pjesëmarrje publike apo dëgjesa, apo të jenë subjekte të raporteve të VNM, të cilat përfshijnë një vlerësim të hollësishëm mbi impaktin që këto investime do të kenë në natyrë apo biodiversitet. Të tilla raporte ende mungojnë, pavarësisht numrit të lartë të hidrocentraleve ekzistues, apo të planifikuar, në basenet e lumenjve. Këto raporte duhet të ndërmerren përpara çdo aprovimi të dhënë për projekte individuale. Ende mungojnë inspektime apo monitorime mbi rrjedhat ekologjike nga hidrocentralet ekzistuese."

Vendi Lajme komisioni europian ndertim Aktualitet shqetesim aueroport vjose narte

EMISIONET