Vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për zbatimin e masave anticovid.  Policia ka bërë me dije se janë ndëshkuar me masë administrative, 1710 qytetarë dhe 10 administratorë lokalesh që u konstatuan duke mos i respektuar masat  për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia

Gjatë kontrolleve në fundjavë janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 12 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë. 

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në fundjavë, për zbatimin e masave kufizuese, kanë konstatuar 3 subjekte ku ushtrohej aktiviteti pas orës 22:00. Secili nga subjektet është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë. 

Gjithashtu, gjatë fundjavës, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 38 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.