Iran, në dyshim pakti atomik

Iran, në dyshim pakti atomik

Irani nuk pranon të negociojë paktin e 2015-ës për rezervat radioaktive, edhe nëse kjo do të nënkuptonte riuljen në tryezë me Uashingtonin. Gjermania propozon që marrëveshja të rishikohet.

Edhe pse presidenti i zgjedhur amerikan, Xho Bajden, ka dhënë shenjat se kërkon të rindërtojë raportet me Iranin, republika islamike nuk pranon parakushtet.

Atentati ndaj shkencëtarit që drejtoi programin bërthamor të vendit për vite me radhë u komentua javën e kaluar nga gazeta "The New York Times" si një tentativë e palëve të treta për të ulur mundësitë e zgjidhjes së konfliktit për traktatin bërthamor të 2015-ës.

SHBA-ja u largua nga marrëveshja njëanshmërisht me vendim të presidenti Donald Tramp, dhe po aplikon sanksione ekonomike kundër Teheranit.

Demokrati Bajden pranon se hapësira diplomatike për të është ngushtuar, porse sanksionet mund të hiqen me kushtin që Irani të respektojë zotimet e marra përsipër pesë vite më parë.

Me një vendim të fundit të parlamentit, pala iraniane i lejoi vetes të rritë rezervat e lëndëve radioaktive përsipër niveleve të dakordësuara me shtetet e tjera.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Hajko Mas, tha të premten se ndoshta pakti i vitit 2015 nuk mjafton më në kornizën e vjetër.

Sipas kryediplomatit gjerman pakti me Iranin duhet të adresojë edhe programin e raketave balistike, që nëse realizohet, kërcënon gjithë rajonin e botën mbarë.

Qëndrimet për rishikimin e marrëveshjes i hodhi poshtë një ditë më parë homologu iranian, Mohamad Zarif, duke theksuar se Teherani nuk do ta rinegociojë traktatin e shkuar.

Diplomati iranian shprehu ankesë edhe për mungesën e komenteve nga BE-ja për sa i përket vrasjes së kryeshkencëtarit të programit atomik të vendit, Mohsen Fakrizadeh.

Izraeli me shërbimin e vet informativ është vënë në shënjestrën e Iranit si palë përgjegjëse, ndërsa izraelitët jashtë vendit janë paralajmëruar për rrezikun e sulmeve hakmarrëse.

Bota Lajme Lindje e Mesme iran pakti atomik

EMISIONET