Grryerrja e zonës përreth kalasë së Dorzit në Pezë po rrezikon historinë që përfaqëson monumenti. Për ambientalistin Abdulla Diku institucionet duhet të pezullojnë aktivitetin e guroreve ndërsa shprehet se e leja është dhënë për interesa bizenesesh.

Kalaja e Dorzit në Pezë, një set i vjetër arkeologjik rrezikon të humbë të gjithë vlerat e saj si pasojë e gërryerjve nga dy gurore.

Edhe pse në faqen e Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Gjeohapësinore, zona klasifikohet si e mbrojtur, realiteti është paradoksal pasi punimet po shkaktojnë dëme të mëdha.

Për ambientalistin Abdulla Diku edhe pse kjo kala është dëshmi e vjetër e historisë së zonës, Bashkia nuk ka bërë thuajse asgjë për ta mbrojtur.

Diku: Ajo reja e madhe e pluhurit që filon që nga rezervuari i Fjollës ngrihet deri tek kalaja e Dorzit dhe pastaj vijon gjatë gjithë rrugës së asflatuar poshtë për në Pezë. Si e tillë, duhej që e gjithë kjo situatë të ishte zgjidhur menjëherë me pezullimin e lejës minerare të shfrytëzuesve që kanë guroren aty dhe kalaja jo të ishte një njollë na hartën e aseteve turistike të Tiranës.

Sipas tij biznesi ka diktuar në vendimarrjen e institucioneve ndaj duhet marrë masa sa më parë për të shpëtuar kalanë dhe të gjithë historinë që ajo përfaqëson.

Diku: Është çështje biznesi, ajo dikton si për shumë gjëra të tjera. Vendimarrjen, ndërhyrjen në struktura të tilla të trashëgimisë kulturore. Kjo e bën joefektive të gjithë këtë kuadër ligjor që kemi. Sigurisht që është dhe detyra e ambjentalistëve, organizatave të Shoqërisë Civile që të ngrenë zërin për ta mbrojtur këtë aset pasi dalëngadalë po i vjen rradha çdo kalaje dhe çdo monumenti kulture e historie që të shuhen një nga një.