"Zhgënjimi"/ Pagat bien në raport me fundin e vitit, zbret në 64.7 mijë lekë, me bazë vjetore rritja reale vetëm 2%

"Zhgënjimi"/ Pagat bien në raport me fundin e vitit, zbret

Ndonëse vendi është futur në një garë të ethshme rajonale të rritjes së pagave, të udhëhequr nga kryeministri, si dhe bizneset po detyrohen të paguajnë më shumë për të frenuar ikjen e punonjësve, rritja reale e pagave në tremujorin e parë të këtij viti ka qenë minimal.

INSTAT bëri të ditur se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2023, është 64.706 lekë, duke u rritur me 9,2% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Teksa inflacioni mesatar për të njëjtën periudhë është rritur me 7.2%, ndryshimi real i pagave është vetëm 2%.

Ndërsa në krahasim me fundin e vitit, kur paga mesatare në ekonomi arriti rekordin e 66,014 lekëve, në tremujorin e parë paga ka rënë me 2%. Përgjithësisht në tremujorin e fundit ka një rritje më të lartë të pagës mesatare për shkak të shpërblimeve të fundvitit, por rënia me bazë tremujore në muajt e parë të këtij viti është më e lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ra me vetëm 0.5%, ndërsa në tremujorin e parë 2021 tendenca kishte qenë rritëse në raport me fundin e 2020-s, me 1.9%.

Tkurrja e pagës me bazë tremujore është më e forta që nga tremujori i tretë 2020, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë.

Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të parë 2023, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni.

Paga mesatare bruto për aktivitetin e Bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, si ndër aktivitetet me pagë mesatare më të ulët se paga mesatare në nivel kombëtar, ka patur rritjen më të lartë, prej 14,2%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Gjatë tremujorit të parë 2023, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.

Në muajt e parë të këtij viti, kryeministri Edi Rama ushtroi “presion” mbi bizneset që të rrisnin pagat e punonjësve të tyre, ndërsa premtoi se pagat e administratës brenda dy vitesh do të kapnin mesataren e rajonit prej rreth 900 euro. Por, deri tani vetëm administrata e larta ka arritur që t’ia kalojë rajonit, ndërsa paga mesatare në ekonomi vijon të mbetet rreth 30-40% më e ulët se në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut e Bosnjë Hercegovinë./Monitor

EMISIONET