Tregu i naftës "nën pikëpyetje" / Tola: Çmimet rriten menjëherë në Shqipëri, por ulen me vonesë
Tregjet e naftës vijojnë të jenë të luhatshme, ndërsa në Shqipëri rritjet e çmimeve reflektohen më shpejt se ndryshimet në tregjet ndërkombëtare. Eksperti i ekonomisë Igli Tola, i ftuar në një intervistë për “Ora News”, ngre dyshime mbi mënyrën se si përcaktohen çmimet në tregun vendas të hidrokarbureve.
Sipas Tolës, në kushte normale një ndryshim i çmimit të naftës bruto në bursat ndërkombëtare nuk duhet të ndihet menjëherë në tregun e pakicës, pasi operatorët kanë detyrimin të mbajnë rezerva dhe ndikimi duhet të shfaqet pas disa ditësh.
“Në momentin e parë që kemi tendencat për rritje çmimi në tregjet ndërkombëtare, kjo reflektohet shumë shpejt në tregun lokal. Ndërkohë, kur tregjet stabilizohen dhe çmimet bien, kjo gjë reflektohet me vonesë në Shqipëri”, u shpreh eksperti.
Ai thekson se kjo situatë krijon dyshime nëse çmimi final i karburanteve bazohet në kostot reale apo në një qasje spekulative që ndjek vetëm tendencat e tregut.
Duke folur për funksionimin e bordeve të transparencës, eksperti i ekonomisë tha se këto struktura nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme, pasi përgjegjësia shpërndahet mes institucioneve dhe mungon një autoritet i qartë përgjegjës.
“Kur flasim për grupe pune ad hoc, ndërinstitucionale dhe ndërdisiplinore, përgjegjësia ligjore shpërndahet në mënyrë të tillë që është e vështirë të gjendet përgjegjësi final”, deklaroi Tola.
Sipas tij, edhe në periudhën e krizës pas luftës Rusi-Ukrainë, si dhe në situata të tjera me rritje çmimesh, bordet nuk kanë arritur të japin efektin e pritshëm në mbrojtjen e konsumatorit.
Tola argumenton se kontrolli i tregut duhet të jetë një proces i vazhdueshëm dhe jo të aktivizohet vetëm në momente krizash.
Sipas tij, institucionet përgjegjëse, përfshirë Autoritetin e Konkurrencës dhe strukturat e tjera të kontrollit, duhet të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme çmimet, cilësinë dhe mundësinë e marrëveshjeve të paligjshme mes operatorëve.
“Nëse secili institucion do të bënte detyrën e tij gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në situata krizash, çmimet do të ishin më afër realitetit dhe nuk do të kishim nevojë të diskutonim vazhdimisht për masa emergjente”, tha ai.
Eksperti nënvizoi se fokusi kryesor duhet të jetë mbrojtja e konsumatorit dhe minimizimi i ndikimit të krizave ndërkombëtare mbi ekonominë familjare.
Igli Tola:Atëherë kjo është një situatë e përsëritur që ne po e shohim themi disa herë në këto javët e fundit apo muajt e fundit, të paktën mund të shprehemi kështu. Në terma themi realistë, ky duhet të ishte një skenar i cili duhet të vinte me një vonesë kohe, pasi që operatorët që punojnë në këtë treg, pra që operojnë në tregun e hidrokarbureve, e kanë për detyrim mbajtjen e një rezerve ligjore dhe normalisht që goditja në çmimin e brentit të naftës apo të naftës bruto të afektojë në tregun e pakicës, do të duheshin minimalisht disa ditë.
Por ndërkohë këtu ndodh që në momentin e parë që kemi qoftë dhe tendencat e para për të pasur një rritje çmimi në tregje, kjo gjë reflektohet apo ndodh më shpejt në tregun lokal sa ç'ndodh në tregjet ndërkombëtare realisht. Dhe përkarshi kësaj, në momentin që tregjet ndërkombëtare qetësohen apo shkojnë drejt një stabiliteti, kjo gjë reflektohet me vonesë në Shqipëri. Pra kemi një tendencë për të rritur çmimet të parët, madje dhe përpara se duhet të ndodhte realisht, por ndërkohë e anasjellta, pra veprimi i kundërt, ndodh shumë rrallë ose mos themi që s'ndodh asnjëherë.
Dhe pikërisht kjo e bën gjënë themi disi të dyshimtë në lidhje me se sa realisht çmimi i tregut të pakicës reflekton tërësinë e zërave të kostos që këtë produkt e shoqërojnë, apo është më shumë një çmim spekulativ që më shumë i ndjek tendencat themi në tregje dhe jo bazuar në një kostifikim të saktë të hartimit të çmimit
Mendoj që në të gjitha rastet që bordi i transparencës ka operuar, pra si në rastin e parë në situatën e luftës në mes Rusisë dhe Ukrainës, po edhe aktualisht bordi i hartuar për tregun e hidrokarbureve, por edhe borde të tjera për produkte të tjera në rastin e mëparshëm, nuk është se në gjykimin tim ka dhënë ndonjë efekt të pritshëm. Nuk ka dhënë një efekt të pritshëm sepse kur flasim për grupe pune ad hoc, pra ndërinstitucional, ndërdisiplinor, dhe ngarkesa apo përgjegjësia ligjore normalisht shpërndahet në mënyrë të tillë që ne nuk arrijmë dot të gjejmë përgjegjësin final.
Mendoj që, mendoj që nuk është e nevojshme as të ngrihen borde, as të funksionojnë, por mjafton që të gjitha institucionet të cilat kanë për detyrë, kanë për tagër ligjor kontrollin e tregjeve, verifikimin e cilësisë, çmimeve, mundësitë për të pasur raste për marrëveshje kartel midis palëve, duhet të bëjnë detyrën e tyre që nga Autoriteti i Konkurrencës dhe të gjitha institucionet e tjera të ngarkuara me ligj për këto funksione.
Në qoftë se të gjitha këto ose secila prej tyre do të bënte detyrën e saj në çdo moment të vitit dhe jo vetëm në situata krizash, mendoj që çmimet do të ishin më afër asaj që duhet të pasqyronte realitetin dhe nuk do të duhet të diskutonim ngjarje të tilla, pasi nuk diskutohen në vende të tjera që janë relativisht, le të themi, homologe me ne apo partnere me ne.
Pra, në situata të tilla ku në momentin e parë që shpërthen një luftë në x vend, ne ndërmarrim të gjitha këto masa për të ngritur komisione, grupe pune e kështu me radhë, në kohë që e gjithë përpjekja duhet të jetë për të mbrojtur konsumatorin, se si mund t'i vihet në ndihmë konsumatorit për të ruajtur konsumin, mos u prekur nga vala e goditjes së krizës, mendoj që është, le të themi, një përpjekje e çuar dëm apo një fokusim në situata të cilat realisht nuk duhet të kenë këtë ngarkesë.

