Transporti publik në qytete, Rama: Autobusë elektrikë me zero ndotje! Park logjistik për bashkitë. Zgjidhje edhe për parkimet

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në eventin për infrastrukturën nëntokësore në zonat urbane me në fokus sistemimi i kabllove ajrore dhe strukturave të improvizuara që dëmtojnë pamjen e qyteteve, kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore dhe roli i bashkive në këtë proces.

“Së dyti, do të adresojmë nevojën për të cuar në një nivel tjetër transportin urban dhe interurban. Transporti i periudhës së sezonit të pikut hallka jonë më e dobët. Qëllimi është të hyjmë në një fazë ku gjenerata e re e mjeteve të transportit publik të jetë tërësisht e gjelbër, pra autobusë elektrikë me zero ndotje.

Dhe së dyti për të ndërtuar një sistem të përdorimin dhe administrimit të këtyre mjeteve nën administrimin e bashkive. Do të jetë qeveria bashkë me bashkitë që do sigurojnë mjetet dhe bashkitë do bëjnë administrimin e tyre, sjell këtu shembullin e Lezhës dhe parkun logjistik atje.

Do e shtrijmë në të gjithë territorin, do kemi një park logjistik që do i shërbejë bashkive për gjithë ato punime të domosdoshme për hapjen e kanaleve kulluese, ujitëse etj. Apo për situata postemergjencë që bashkitë të zotërojnë një kapacitet të munguar deri më sot. Do mbështesim një program për të krijuar kapacitete më domethënëse për parkimet, sidomos në qytetet me intisitet të lartë qarkullimi, sidomos në zona me ngarkesë specifike prej turizmit.

Programi i parkimeve ka disa komponentë, të gjitha bashkitë do kenë programin e shkruar. Kemi disa formula, përvec financimit direkt, të punës për ndërtimin e tyre, përmes fondit të zhvillimit, si Berat apo Gjirokastër, por edhe një tjetër formulë për ti mundësuar bashkive të aksesojnë bankat me projekte specifike të parkimeve apo të bashkëpunojnë me subjekte private të marrin pjesë në bashkëpunim në ato territore që i përdorin në lagje, ku kanë marrë të drejtën e pronës, por mund të angazhohen për të ndërtuar një infrastrukturë parkimesh shumë më fitimprurëse dhe shumë miqësore me komunitetin”, tha Rama.

Infrastruktura nëntokësore në zonat urbane

Në eventin kushtuar modernizimit të infrastrukturës nëntokësore në zonat urbane, ku në fokus ishte sistemimi i kabllove ajrore dhe strukturave të improvizuara që dëmtojnë pamjen e qyteteve, kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore, si dhe roli i bashkive në këtë proces, Rama e cilësoi nismën si një hap të rëndësishëm drejt transformimit urban dhe përmirësimit të standardeve të qyteteve shqiptare.

“Është një nismë që vjen në kohën e duhur dhe kërkon një organizim dhe disiplinë të fortë për t’u kryer me sukses. Është tani e mundur që të pastrojmë qytetet nga gjithë ato fije plastike merimangash të një kohe që ka pasur pasojat e veta. Pjesa dërrmuese e këtyre kabllove janë pa funksion, por qëndrojnë aty si një shenjë e harresës dhe e mungesës së vëmendjes”, u shpreh kryeministri. 

Rama bëri të ditur gjithashtu se qeveria po përgatitet të lançojë në ditët e para të korrikut një program të ri me rëndësi strategjike për zhvillimin e komuniteteve dhe territorit.

“Dua të ndaj edhe një tjetër nismë, të shtrirë në një sërë drejtimesh me natyrë strategjike për komunitetet dhe vendin, që do ta lançojmë në 10-ditëshin e parë të korrikut. Bëhet fjalë për programin e Rilindjes Kombëtare 2.0”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit, programi po përgatitet në bashkëpunim me bashkitë dhe nën drejtimin e ministrit Ervin Demo, me synimin për të adresuar problematikat e mbetura në infrastrukturë dhe shërbimet publike.

“Në dialog me bashkitë po përgatitet në udhëheqjen e ministrit Demo dhe synon të adresojë disa elementë që i ka ardhur koha të marrin një drejtim shterues. Të adresojë të gjitha pjesët e mbetura të painvestuara. Janë disa pjesë që, ndryshe nga çfarë hidhet e përdridhet në diskursin negativ, janë shumë më pak se pjesët e investuara të sistemit të kanalizimeve. Programi do të adresojë nevojën për të bërë ndërhyrje gjithëpërfshirëse”, tha Rama.

Transformimi i zonave ish-industriale

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se qeveria ka hartuar një plan të qartë për zhvillimin e zonave ish-industriale në bashkëpunim me bashkitë, me synimin për t’i kthyer ato në hapësira funksionale dhe me potencial ekonomik.

Gjatë deklaratës së tij, Rama tha se këto zona janë identifikuar dhe se tashmë ekzistojnë modele konkrete zhvillimi për transformimin e tyre.

Rama theksoi se objektivi i Shqipërisë mbetet ngjitja në një nivel më të lartë të klasifikimit si destinacion turistik, duke nënvizuar se kjo kërkon zgjerimin dhe pasurimin e ofertës turistike në të gjithë vendin.

Sipas tij, krijimi dhe zhvillimi i muzeve të identiteteve lokale është një element i domosdoshëm për forcimin e turizmit kulturor dhe promovimin e trashëgimisë vendase. Kryeministri njoftoi gjithashtu zgjerimin e programit Start up Albania në territore të tjera të vendit, duke theksuar se interesi për këtë nismë është rritur ndjeshëm.

“Për zonat ish-industriale, edhe për ato kemi një plan të qartë pune me bashkitë, janë bërë identifikimi i tyre, që janë sot e gjithë ditën të braktisura. Kemi modele që na japin mundësinë se si do ti zhvillojmë këto zona ish-industriale.  Rruga jonë është rruga e ngjitjes në një nivel të lartë të klasifikimit të vendeve turistike.

Kjo nuk mund të jetë diçka e qëndrueshme në raste se ne nuk e pasurojmë ofertën turistike ku muzetë e identiteteve lokalë janë një domosdoshmëri. Kemi dhe programin e shtrirjes së start up edhe në territore të tjera, pasi vëmë re kemi një rrije të ndjeshme të kërkesave në programin e Start up Albania, për të cilin do të nxjerrim një fond të ri, sepse kërkesat janë të shumta”, u shpreh kryeministri Rama.

EMISIONET