Malaj: Ekonomia shqiptare mbetet ndër më të qëndrueshmet në rajon

Shqipëria vijon të konfirmohet si një nga ekonomitë më të qëndrueshme në rajon, duke ruajtur perspektivë pozitive rritjeje edhe në një mjedis global të karakterizuar nga pasiguri ekonomike, tensione gjeopolitike dhe presione inflacioniste.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur sot se raporti më i fundit i Bankës Botërore tregon se ekonomia shqiptare mbetet ndër më rezistentet në rajon, ndërsa parashikimet e rritjes ekonomike janë ulur për shumicën e vendeve si pasojë e sfidave të ekonomisë globale.
Sipas raportit, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3,4% gjatë vitit 2026, normë që mbetet dukshëm mbi mesataren rajonale prej 2,9%. Ky vlerësim pasqyron qëndrueshmërinë e ekonomisë së vendit dhe aftësinë e saj për t’u përballur me goditjet e jashtme.
Ministri Malaj theksoi se ky rezultat është dëshmi e efektivitetit të politikave ekonomike dhe fiskale të ndjekura në vitet e fundit, të cilat kanë kontribuar në ndërtimin e një ekonomie më konkurruese, më të diversifikuar dhe me ekspozim më të ulët ndaj zhvillimeve të pafavorshme ndërkombëtare.
Sipas tij, vlerësimi i Bankës Botërore përbën një tregues të qartë se reformat strukturore dhe menaxhimi i përgjegjshëm i financave publike po japin rezultate konkrete, duke mbështetur rritjen ekonomike, investimet dhe mirëqenien e qytetarëve.

