Sot afati i fundit i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi

Sot afati i fundit i aplikimeve për Skemën Kombëtare të

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi se sot përfundon afati për aplikimet në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, pas shtyrjes së vendosur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas AZHBR-së, aplikimet për të gjitha masat mbështetëse do të pranohen deri në orën 16:30.

Skema përfshin mbështetje financiare për blegtorinë, bletarinë, dosat dhe paradosat, kontrollin biologjik, fermat organike, certifikimin Global G.A.P., sipërfaqet e mbjella, si edhe ripopullimin në ujërat e brendshme.

Në kuadër të kësaj skeme mbështeten gjithashtu investimet për fermerët e rinj, ndërtimi i staneve dhe mekanizimi i bujqësisë.

AZHBR u bëri thirrje fermerëve që të aplikojnë brenda afatit, duke sqaruar se aplikimet për masat direkte kryhen përmes portalit e-Albania, ndërsa për masat e investimeve dosjet fizike duhet të dorëzohen pranë zyrave qendrore të agjencisë.

Fillimisht, afati i aplikimeve ishte përcaktuar të mbyllej më 26 qershor, por Ministria vendosi ta shtyjë atë deri më 6 korrik, për t’u dhënë mundësi një numri sa më të madh fermerësh të përfundojnë procedurat e aplikimit.

Procesi i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026 nisi më 25 maj, duke u ofruar fermerëve mundësinë të aplikojnë për një sërë masash mbështetëse, që synojnë rritjen e prodhimit, modernizimin e fermave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor.

EMISIONET