Rikonstruksioni i Kopshtit, Veliaj jep dhjetëra milionë lekë më tepër
Ditën e enjte Bashkia e Tiranës ka shpallur fituesin e një tjetër tenderi duke skualifikuar ofertat më të mira. Bëhet fjalë për prokurimin që ka si qëllim ndërtimin e një kopshti dhe çerdhe të integruar në rrugën “Besim Daja”, në njësinë bashkiake numër 8.
Për të do të shpenzohen 472 mijë euro, ndërsa kishin shfaqur interes 13 kompani nga të cilat 6 janë skualifikuar nga gara dhe fitues është shpallur “INA” që do të realizojë punimet për 6 muaj nga nënshkrimi i kontratës.
Nga të skualifikuarit janë edhe bashkimi i operatorëve “Euro Alb” dhe “Lis Konstruksion” që kishin kërkuar 20 mijë euro më pak se fituesi për ta realizuar punën, por sipas Bashkisë Tiranë nuk ka plotësuar kriteret e tenderit.
Ndërsa subjekti tjetër “EURONDERTIMI 2000” që mund ta realizonte punën me 15 mijë euro më pak, është skualifikuar me arsyen se në formularin e vetdeklarimit ka paraqitur tre drejtues mjetesh për të cilët nuk ka përcaktuar rolin.
Tenderi është shënuar me flamurin e kuq nga platforma "Open Procurement" për skualifikimin e ofertave përveç fituesit. Ndërsa shton arsyet për monitorimin e procedurave publike të institucionit që drejtohet nga Erion Veliaj, nga organet e drejtësisë.


