Qeveria miraton shpronësimet për projektet infrastrukturore në Morinë dhe Kavajë

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimet për shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme private, që preken nga realizimi i dy projekteve infrastrukturore në Morinë dhe në Kavajë.
Sipas vendimeve të miratuara, shpronësimi i parë lidhet me projektin “Rehabilitimi i shesheve dhe zonave kryesore në afërsi të pikave doganore shqiptare (Pika doganore Morinë)”, i cili do të zbatohet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ky projekt do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së përcaktuar në tabelën bashkëlidhur vendimit, për pasuri të llojit “arë” dhe “truall”. Vlera e përgjithshme e shpronësimit është 184 982 lekë dhe do të përballohet nga buxheti i shtetit, përmes fondit të shpronësimeve.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe shpronësimin për realizimin e projektit “Rikonstruksion i trotuareve, lagjja ‘Sheh’”, bashkia Kavajë.
Ky shpronësim bëhet në favor të bashkisë Kavajë, ndërsa bashkëpronarët e pasurisë së prekur do të kompensohen në vlerë të plotë për pasurinë e llojit “truall”. Vlera e përgjithshme e kompensimit është 452 308 lekë dhe do të përballohet nga buxheti i bashkisë Kavajë.
Vendimet përcaktojnë se procedurat e shpronësimit nisin menjëherë pas botimit në “Fletoren zyrtare”, ndërsa afati i përfundimit të tyre është brenda tre muajve nga hyrja në fuqi.
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe bashkia Kavajë do të kryejnë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, pas paraqitjes së dokumentacionit justifikues pranë institucioneve përkatëse.
Gjithashtu, Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të nisë procedurat për hedhjen e gjurmës së projekteve mbi hartat kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit ose Bashkisë Kavajë, sipas rastit.
Për zbatimin e vendimeve ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Bashkia Kavajë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe institucionet e tjera përgjegjëse.


