VIDEO/ Tako: Në ish-qendrën shëndetësore Nr.10 ndryshon vetëm organizimi administrativ

Drejtoresha e Qendrës së Mjekësisë Familjare, ish-qendra shëndetësore nr. 10 në Tiranë, Silvana Tako, sqaron se riorganizimi administrativ i qendrës nuk sjell largim të mjekëve specialistë dhe as reduktim të shërbimeve për qytetarët.
Sipas Takos, mjekët specialistë do të vijojnë të ofrojnë shërbim në të njëjtat ambiente, për të njëjtën qytetarë dhe me të njëjtin orar, ndërsa ndryshimi lidhet vetëm me varësinë administrative të tyre pranë Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve nr. 1, Tiranë.
“Qytetarët do të vazhdojnë të marrin shërbim tek i njëjti mjek dhe në të njëjtin vend. Nuk ka asnjë arsye për alarm, pasi ndryshon vetëm organizimi administrativ”, u shpreh Tako.
Ajo theksoi se Qendra e Mjekësisë Familjare është modeli i parë i këtij lloji në vend, i ndërtuar në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku mjekët e familjes ndjekin pacientët e të gjitha grupmoshave, nga lindja deri në moshën e tretë.
“Në këtë qendër do të vijojnë të ofrojnë shërbim specialistët e kardiologjisë, kirurgjisë, obstetrikë-gjinekologjisë dhe pediatrisë, të cilët do të mbeten në të njëjtat pozicione pune dhe do të ndjekin të njëjtët pacientë”, tha ajo.
Ndërkohë, specialistët e fushave të tjera, si okulistika, endokrinologjia dhe dermatologjia, janë organizuar administrativisht pranë Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve nr. 1, e cila mbulon shërbimet sipas zonave përkatëse.
Tako nënvizoi se për qytetarët nuk ndryshon asgjë në mënyrën e marrjes së shërbimit shëndetësor, ndërsa synimi i këtij riorganizimi është forcimi i mjekësisë familjare dhe rritja e cilësisë së kujdesit për komunitetin.
“Banorët do të vazhdojnë të marrin shërbim në të njëjtin vend, në të njëjtin orar dhe nga të njëjtët mjekë. Shërbimi do të vijojë të jetë cilësor, siç ka qenë gjithmonë”, tha Tako.


