Programi EU4Schools, Kumbaro: Me BE nuk rindërtuam vetëm shkolla, por edhe mundësi e besim për të rinjtë

Programi EU4Schools, Kumbaro: Me BE nuk rindërtuam vetëm shkolla, por

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro mori pjesë dje në konferencën përmbyllëse të programit “EU4Schools”, nga Bashkimi Europian në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe zbatuar nga UNDP, gjatë të cilit janë riparuar dhe rindërtuar 63 objekte arsimore në 11 bashki të vendit, të prekura nga tërmeti i vitit 2019.

Kumbaro falënderoi të gjithë partnerët që kanë kontribuar në realizimin e këtij programi, suksesi i të cilit është rezultat i një angazhimi shumë këmbëngulës dhe maksimal të të gjithë palëve.

“Kemi nevojë që në vrullin e punëve të ndalemi qoftë dhe një çast për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkruar, punët e mira që kemi bërë, që stafet tona kanë bërë, së bashku me Bashkimin Europian dhe UNDP, sepse ndonjëherë duket sikur gjërat e mira bëhen vetë, sikur gjithsesi do ndodhin, se s’ka si të ndodhë ndryshe, por jo! Ne të gjithë e dimë se nëse nuk ka njerëz të dedikuar pas çdo pune, stafe të tëra që bëjnë një punë të heshtur si milingonat, asgjë nuk bëhet vetë. Prandaj unë sot dua t’i them faleminderit nga zemra kujtdo që ka dhënë një kontribut sado të vogël në projektin e madh EU4SCHOOLS”, tha ministrja Kumbaro.

Më tej gjatë këtij takimi me pjesëmarrjen e zëvendëskryeministres Albana Koçiu, ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, Ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri Silvio Gonzato dhe partnerë të Bashkimit Europian, UNDP, etj, ministrja Kumbaro dha detaje mbi punën për realizimin e këtij programi që është i prekshëm për 25 mijë fëmijë në 11 bashki të vendit.

“Falë këtij programi janë riparuar dhe rindërtuar 63 objekte arsimore si shkolla, gjimnaze, shkolla profesionale, çerdhe, kopshte apo konvikte, në 11 bashki të vendit: Durrës, Shijak, Tiranë, Kamzë, Vorë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Rrogozhinë, Mirditë, Kavajë duke krijuar kushte moderne dhe të sigurta për rreth 25 mijë nxënës. Janë shtuar klasa të reja, mbi 120 laboratorë shkencorë dhe teknologjikë, janë trajnuar mësues, janë krijuar hapësira për mbështetjen psiko-sociale dhe janë forcuar standardet e sigurisë në shkolla. Janë hartuar edhe 6 udhëzues për sigurinë në ambiente arsimore të përgatitura dhe miratuara nga Ministria e Arsimit”, nënvizoi Kumbaro.

Por, shtoi ajo, vlera e këtij programi shkon shumë përtej statistikave.

“EU4Schools ka rindërtuar besimin e njerëzve. Ka rikthyer normalitetin. Ka krijuar hapësira ku fëmijët tanë mund të ëndërrojnë më shumë dhe të përgatiten më mirë për sfidat e së ardhmes. Standardet që kemi vendosur së bashku në EU4Schools, po i aplikojmë në çdo investim të shkollave që po bëjmë në të gjithë Shqipërinë, ku nuk ka asnjë dallim mes shkollave në qendrat urbane me ato në zona pak më të largëta. Dhe janë plot 42 objekte të reja arsimore që do të përfundojnë në të gjithë Shqipërinë, shkolla të reja apo të rindërtuara, me kushtet e nevojshme për procesin mësimor dhe përtej për programin Pas Shkolle”, vijoi ministrja Kumbaro.

Në fund të takimit, ministrja Kumbaro theksoi se me mbylljen e kapitullin EU4Schools, në të vërtetë po hapet një kapitull i ri ku partneriteti mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të vazhdojë të japë fryte konkrete për qytetarët.

EMISIONET