Kume: Venecia kërkon rregulla të forta dhe transparencë në financimin e partive

Kume: Venecia kërkon rregulla të forta dhe transparencë në

Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, në një intervistë për “Ora News”, ka komentuar opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me draftin për financimin e partive politike në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit dhe zbatimit të tij në praktikë.

Sipas Kumes, ekziston koherencë e plotë mes asaj që rekomandojnë institucionet ndërkombëtare dhe nevojës për rregullim të financimit të partive politike në vend. Ai nënvizoi se ndër vite janë krijuar hapësira ligjore që kanë lejuar keqpërdorime të financimeve politike, shpesh me burime jo të sigurta ose të paidentifikueshme.

Kume theksoi se një situatë e tillë ka ndikuar në mënyrën e funksionimit të demokracisë, duke sjellë sipas tij një lloj “kapjeje” të procesit qeverisës nga interesa financiare të errëta.

Duke iu referuar draftit të Kuvendit dhe rekomandimeve të Venecias dhe ODIHR-it, ai u shpreh se qëllimi duhet të jetë ndërtimi i rregullave më efektive dhe jo vetëm përmbushja formale e detyrimeve për integrimin europian.

Sipas tij, një element i rëndësishëm është koordinimi mes ligjit të posaçëm për financimin e partive dhe dispozitave në Kodin Zgjedhor, të cilat duhet të jenë të harmonizuara dhe pa mbivendosje.

Në përfundim, Kume theksoi se ligji është vetëm një kusht i nevojshëm, ndërsa suksesi i tij varet nga vullneti dhe këmbëngulja për zbatim korrekt në praktikë.

Kristaq Kume: Tek ne, nga njëra anë dhe asaj se çfarë ka shprehur tashmë opinioni i Venecias lidhur me draftin e përgatitur nga Kuvendi i Shqipërisë për financimin e partive politike, nuk kishte sesi të mos kishte koherencë të plotë.

Ajo që në mënyrë këmbëngulëse ndërkombëtarët kanë këshilluar që ne duhet të bëjmë, në radhë të parë në legjislacion, si kusht i nevojshëm e pastaj për ta realizuar edhe në praktikë, pra në procesin zgjedhor, ka qenë formësimi i rregullave ose mirëndërtimi i rregullave të cilat do të bëjnë të mundur transparencën e financimit të partive politike dhe ndërtimin e rregullave të cilat të mos japin mundësi, siç deri sot ato që kemi të ndërtuara, janë keqpërdorur nga partitë politike për të përfshirë në aktivitetin e tyre dhe në mbështetje të aktivitetit të tyre financime të cilat nuk kanë burime të sigurta ose nuk kanë burime të identifikueshme

 Gjë që tek ne është realizuar në forma nga më të ndryshmet nga partitë politike dhe s'ka pse të themi se cilat kanë qenë rrugët që ato kanë ndjekur, por ne duhet të theksojmë efektin që ato kanë dhënë. Efekti është kapja në një farë mënyre e mënyrës së qeverisjes në përgjithësi dhe e rregullave të funksionimit të shoqërisë sonë si një shoqëri demokratike nga paret, pra nga pjesa më e errët e shoqërisë, që është ajo e fshehura, e cila nuk tregon se nga, si dhe cili është objekti i financimeve që ajo i bën subjekteve politike.

Ndërkohë, më duhet të them që, po të krahasosh atë çka ka drafti i përgatitur nga komisioni parlamentar për reformën zgjedhore nga njëra anë, dhe asaj se çfarë kërkojnë në opinionin e tyre që duhet mbajtur parasysh dhe duhet rregulluar më mirë në ligjin e ardhshëm për financimin e partive politike nga Komisioni i Venecias dhe ODIHR, është fakti se, ndërsa për mendimin tim i gjithë ky proces ligjbërës nga komisioni parlamentar është konsideruar në radhë të parë dhe mbi të gjitha si një detyrë e vendosur në kuadër të asaj çka ne duhet të plotësojmë për anëtarësimin në BE, kurse ata këmbëngulin që është rasti më i mirë i mundshëm dhe që duhet përdorur në mënyrën më efektive të mundshme për të rregulluar diçka, të cilën legjislacioni zgjedhor e ka ndërtuar duke krijuar boshllëqe.

Ndaj po ta vini re, rekomandimet e tyre ose dokumenti që ata kanë paraqitur, ku përmbahen rekomandimet, pothuajse për të gjitha çështjet që duhet të konsiderohen në një ligj për financimin e partive politike, është goxha i detajuar. Ashtu sikurse ata këmbëngulin edhe në diçka, te një këshillë midis rreshtave, por që në fakt duhet të dëgjohet mirë dhe të mbahet parasysh: fakti që ne, në këtë mënyrë do të kemi dy ligje të cilat do të rregullojnë financimin e partive politike.

Njëri do të jetë ligji i veçantë për financimin dhe tjetra pastaj diçka çka do të parashikohet në Kodin Zgjedhor për problemet e financimit gjatë fushatës zgjedhore. Këshilla e tyre është që këto të dyja duhet të jenë shumë të harmonizuara me njëra-tjetrën, mos të krijojnë as mbivendosje, por as prerje negative me njëra-tjetrën. Secila prej tyre është shumë e rëndësishme për t'u trajtuar me të njëjtën vëmendje dhe me të njëjtin kujdes.

Në radhë të parë, kujdesin juridik për të ndërtuar rregulla sa më shumë efektive dhe funksionale, dhe në radhë të dytë, duke patur parasysh faktin se e keqja nuk bëhet vetëm dhe kur partitë politike hyjnë në një proces zgjedhor, pra vetëm nga financimet që bëhen në kuadër dhe kur ka filluar procesi zgjedhor, por e keqja mund të bëhet shumë më përpara se një proces zgjedhor.

Ndaj ata këmbëngulin që vërtet ju mund të keni dy ligje, mundet, kjo nuk është në kundërshtim me atë çka rekomandojnë organizatat ndërkombëtare pra dhe BE-ja në këtë rast, por duhet bërë kujdesi i madh për të qenë shumë mirë të trajtuara secila më vete dhe të dyja së bashku, shumë të harmonizuara me njëra-tjetrën.

Atëherë, ligji ka në vetvete aspekte nga më të ndryshmet, duke filluar që nga ato nenet që sqarojnë konceptet që përdoren në ligj e deri në fundin fare të tij, pra ku vendosen dispozitat lidhur me penalitetet që bëhen për ata që nuk zbatojnë kërkesat e ligjit, të cilat, që të gjitha janë të rëndësishme dhe për të gjitha duhet bërë kujdesje dhe të mbahen sytë hapur për të parë se sa dhe si zbatohen.

Pra, zbatimi i ligjit është shumë i rëndësishëm për suksesin e asaj çka synohet të realizohet. Dhe për këtë gjë më mjafton të them vetëm kaq, që unë e them në mënyrë të përsëritur sa herë që bie rasti: ligji është vetëm kusht i nevojshëm dhe që të realizohen objektivat e tij, duhet edhe pjesa tjetër e mjaftueshme, pra vullneti dhe këmbëngulja për ta zbatuar ligjin.

EMISIONET