Pr.buxheti 2024 i Prokurorisë, Abazi: Na hiqni me ligj pagesat për ekspertizat e Mjekësisë Ligjore

Pr.buxheti 2024 i Prokurorisë, Abazi: Na hiqni me ligj pagesat për

Prokuroria e Përgjithshme kërkon më shumë mbështetje buxhetore nga qeveria për shlyerjen e borxheve ndaj punonjësve, si dhe për shlyerjen e detyrimeve ndaj Institutit të mjekësisë ligjore.

Kërkesat u parashtruan këtë të premte nga Luan Abazi, Sekretar i Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë shqyrtimit nga ana e Komisionit për Çështjet Ligjore, të projektbuxhetit të parashikuar për Prokurorinë e Përgjithshme në vitin 2024.

Abazi tha se Prokuroria ka rënë dakord për përcaktimet buxhetore. Ai në fjalën e tij rreshtoi dy problematika të cilat po has ky institucion prej vitesh dhe për të cilat kërkoi zgjidhje.

“Problem mbetet në vijim pagesa e të gjithë detyrimit që kemi ndaj punonjësve. Vazhdojnë proceset gjyqësore midis institucionit dhe punonjësve. Gjykata në mënyrë sistematike është duke dhënë vendime në favor të punonjësve. Nga ana jonë është njohur detyrimi për të gjithë punonjësit. E kemi bërë këtë referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të kursyer shpenzimet gjyqësore dhe burimet njerëzore që ndjekin gjyqin, po ashtu edhe për të kursyer burimet përmbarimore. Kemi qenë në vështirësi me thesarin, pasi nga ana e përmbaruesve është bllokuar thesari për shkak të këtyre problematikave”, tha Abazi.

“Do të ishte me vend të rivlerësohet situata dhe Ministria së Financave të vendosi të likuidojë menjëherë këto detyrime. Për çdo veprim që kryejmë ne për pagesat, jemi në vështirësi për shkak të vendimeve të përparimit, që ka bllokuar thesarin dhe nuk lejon veprime. Ju lutem ta rivlerësoni situatën”, shtoi Abazi.

Më tej, Sekretari i Përgjithshëm Prokurorisë kërkoi heqjen me ligj të pagesave që Prokuroria i faturon Institutit të Mjekësisë Ligjore për aktet e ekspertimit. Sipas Abazit, kjo rëndon buxhetin e Prokurorisë.

“Mesa jemi në dijeni është duke u diskutuar një pr/ligj për mjekësinë ligjore, dhe do të ishte e udhës të hiqej pagesa mes Prokurorisë dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore. Mjekësia ligjore dhe aktet që kërkojmë ne për shkak të hetimit janë vendosur me pagesa, që rëndojnë buxhetin e Prokurorisë në mënyrë sistematike. Ka eksperiencë në këtë drejtim”, shtoi Abazi.

“Vetëm gjendja e detyrimeve të palikujduara të Prokurorisë 31/08/2023 në është gati 103 milionë lekë. Atë shtesë që kërkojmë për shpenzime operative është për të mbuluar këto detyrime”, tha Abazi.

Sekretari i Përgjithshëm i Prokurorisë tha se duhet mbështetje buxhetore edhe për investimet, por kjo do të varet edhe nga vendimet e Bashkisë së Tiranës.

“Për pjesën e investimeve të caktuara për vitin 2024, ne na i plotëson nevojat. Por duke ditur situatën e vështirë të Prokurorisë së Tiranës, dhe të Prokurorive të tjera dhe nëse do na jepet mundësia për një shesh ndërtimi, atëherë do të kërkonim një shtesë të buxhetit për të bërë projektin për godinën e Prokurorisë së Tiranës. Ne së bashku me Bashkinë e Tiranës kemi ngritur një grup të përbashkët. Ideja është se duhet të ndërtohet një godinë e përbashkët e Prokurorisë, Gjykatës, Prokurorisë së Apelit dhe Gjykatës së Apelit. Kështu që ne e quajmë të arsyeshme të kemi mbështetjen tuaj”, përfundoi Abazi.

Klevis Xhoxhi, deputet i PS dhe relator tha se projektbuxheti 2024 është tregues i qartë i mbështetjes nga qeveria për të gjithë reformën në drejtësi.

“Buxheti për Prokurorinë e Përgjithshme është rreth 3.2 miliard lekë, nga të cilat 2.75 miliard lekë janë shpenzime për pagat e sigurimet shoqërore, 358 milion lekë shpenzime për mallra e shërbime dhe 130 milion lekë lekë shpenzime për investime. Numri total i punonjësve të parashikuar për vitin 2024 në Prokurorinë e Përgjithshme 962 punonjës. Po të bëjmë një krahasim me realizimin e buxhetit të vitit 2023, kemi rritje 572 milion lekë, apo 21.5% më shumë. Numri i punonjësve mbetet i njëjtë”, tha Xhoxhi.

Ministria e Financave u shpreh mirëkuptuese ndaj kërkesave të Prokurorisë për të cilat do shqyrtohen rast pas rasti. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve në fund të diskutimeve tha se pas rakordimit të kërkesave të prokurorisë dhe Ministrisë së Financave dhe relatorit Xhoxhi, të përpilohet një relacion, i cili do t’i bashkëngjitet pr/buxhetit dhe do të miratohet gjatë shqyrtimit nen për nen të pr/buxhetit të  Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2024.

EMISIONET