Pogaçi: Shqiptarët në ankth, çmimet pritet të mbeten të larta edhe në muajt në vijim
E ftuar në studion e Ora News, ekspertja Mira Pogaçi ka folur për rritjen e ndjeshme të çmimeve të karburanteve dhe ndikimin që kjo situatë po sjell në ekonominë familjare të shqiptarëve.
Sipas saj, rritja aktuale e çmimeve të karburanteve në vend ka tejkaluar edhe nivelet e regjistruara menjëherë pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, duke krijuar një presion të fortë mbi buxhetet familjare dhe aktivitetet e bizneseve.
Pogaci theksoi se tregu i energjisë në Europë, që përfshin jo vetëm naftën, por edhe gazin, vijon të mbetet në nivele të larta dhe nuk ka arritur ende stabilitetin e periudhës para luftës.
"Duke qenë se Shqipëria është një vend që mbështetet pothuajse plotësisht në importe, çdo lëvizje në tregjet ndërkombëtare reflektohet menjëherë në çmimet vendase.
Një element tjetër që ndikon drejtpërdrejt në çmimet e produkteve ushqimore, sipas saj, është mënyra se si operojnë kontratat e distributorëve të mëdhenj.
Këto kontrata zakonisht bazohen në cikle tremujore, çka nënkupton se çmimet rishikohen në fund të çdo tre mujori. Kjo e bën të vështirë parashikimin e saktë të kostove për tremujorin e dytë të vitit 2026, pasi vendimet varen nga kompanitë ndërkombëtare që operojnë në treg."
Ajo shtoi se shumica e distributorëve janë kompani të mëdha ndërkombëtare, të listuara në bursat amerikane dhe europiane, të cilat përcaktojnë politikat e çmimeve sipas zhvillimeve globale.
Për një vend të vogël si Shqipëria, kjo situatë krijon një ekspozim të lartë ndaj krizave të jashtme dhe kufizon mundësitë për ndërhyrje të shpejtë në mbrojtje të konsumatorëve dhe sipërmarrjeve.
Ndiqni emisionin e plotë:

