PAMJET/ Punimet e "Salillarit" përmbytin banesën në Bradashesh, familja Meta: Askush nuk mban përgjegjësi

PAMJET/ Punimet e "Salillarit" përmbytin banesën në

Punimet për Korridori 8 vijojnë të krijojnë probleme në zonat e banuara ku kalon ky aks.

Gjatë fundjavës, në zonën e Bradashesh, si pasojë e punimeve të firmës Salillari dhe reshjeve të ditëve të fundit, banesa e familjes Meta u rrethua nga uji në një sipërfaqe prej rreth 500 metrash katrorë, e cila u mbulua nga skorjet e argjinaturës së dëmtuar.

Kryefamiljari shprehet se momentet e para ishin të tmerrshme dhe se, ndonëse ka një jetë të tërë që banon në zonë, kjo është hera e dytë që përroi i Kushes del nga shtrati që prej nisjes së punimeve, pasi në shtratin e tij janë vendosur gjashtë këmbë ure.

Sipas tij, rrjedha e furishme e ujit mori me vete 20 koshere bletësh dhe rreth 80 krerë pula, ndërsa fatmirësisht arriti të shpëtojë lopën.

PAMJET/ Punimet e "Salillarit" përmbytin banesën në

Ai deklaron për Syri TV se askush nuk ka marrë masa për të parandaluar përsëritjen e situatës dhe se punimet vijojnë pa marrë parasysh rrezikun për banorët.

Përsa i përket dëmshpërblimit, ai shprehet se nuk bëhet fjalë, pasi drejtuesit e firmës e konsiderojnë përmbytjen si faktor natyror dhe jo si pasojë të ndërhyrjeve në terren.

Banorët e zonës ndihen të frikësuar se përroi mund të dalë sërish nga shtrati dhe t’i përmbytë përsëri.

Ata tregojnë se gjatë ditës së djeshme janë paraqitur në bashki për të kërkuar zgjidhje, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje, duke mbetur në pasiguri dhe pa shpresë për ndërhyrje konkrete./Syri.net

EMISIONET