“Luftë” evazionit në ndërtim, Muço: Sektori i ndërtimit mbetet ndër më të ekspozuarit ndaj informalitetit dhe pastrimit të parave!

Sektori i ndërtimit vazhdon të mbetet në fokus të institucioneve për shkak të nivelit të lartë të informalitetit dhe dyshimeve për evazion fiskal. Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço, deklaroi në një intervistë për “Ora News” se kontrollet e fundit kanë nxjerrë në pah mospërputhje në deklarimin e vlerave të transaksioneve të pasurive të paluajtshme, duke treguar se problemi i evazionit mbetet i pranishëm në këtë sektor.

Sipas Muços, sektori i ndërtimit përfaqëson rreth 12 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe konsiderohet një nga sektorët më të vështirë për t’u monitoruar sa i përket evazionit fiskal. Ai shpjegoi se gjatë kontrolleve të kryera muajt e fundit janë konstatuar diferenca mes vlerave të deklaruara pranë noterëve dhe atyre të raportuara nga agjencitë imobiliare.

Eksperti theksoi se evazioni fiskal është një problem kompleks që nuk prek vetëm Shqipërinë, por shumë vende të botës. Megjithatë, ai vuri në dukje se përdorimi i lartë i pagesave cash dhe niveli i kufizuar i transaksioneve elektronike vazhdojnë të ushqejnë informalitetin në ekonominë shqiptare.

Muço nënvizoi se Shqipëria mbetet pas vendeve të rajonit për sa i përket të ardhurave fiskale. Sipas tij, ndërsa të ardhurat fiskale në vend arrijnë në rreth 28.5 për qind të PBB-së, mesatarja rajonale është rreth 32 për qind, çka tregon se ka ende hapësirë të konsiderueshme për përmirësim në luftën kundër evazionit.

Ai shtoi se ndërtimi është një sektor veçanërisht i ndjeshëm, jo vetëm për shkak të informalitetit, por edhe për shkak të dyshimeve për depërtimin e ekonomisë kriminale dhe pastrimit të parave. Sipas Muços, raportet e Agjencisë së Inteligjencës Financiare e rendisin ndërtimin ndër sektorët më të ekspozuar ndaj këtyre fenomeneve.

Eksperti argumentoi se përgjegjësia nuk mund t’u lihet vetëm agjencive imobiliare. Sipas tij, problemi përfshin të gjithë zinxhirin e tregut, nga blerësit dhe shitësit deri te ndërtuesit dhe noterët. Ai solli si shembull praktikën e shitjes së apartamenteve me çmime reference më të ulëta se vlera reale e tregut, ndërsa diferenca paguhet jashtë sistemit bankar.

Muço theksoi se lufta kundër evazionit në sektorin e ndërtimit kërkon masa të koordinuara dhe forcim të mekanizmave të kontrollit në të gjithë hallkat e tregut. Sipas tij, vetëm përmes formalizimit të ekonomisë, rritjes së transparencës së transaksioneve dhe kufizimit të pagesave cash mund të reduktohet informaliteti dhe të rriten të ardhurat fiskale të vendit.

Klodian Muço: Gati 12% të prodhimit të përgjithshëm bruto, është një sektor që është relativisht shumë i vështirë për t'u kontrolluar përsa i përket evazionit të parave dhe në rastin konkret ka nisur kundrejt agjencive, mbasi një kontrolli të bërë disa muaj më parë në disa nga agjencitë e vendit u vu re që, le të themi, shifra të ndryshme deklarohen te noteri dhe te pagesat me bankë dhe shifra të ndryshme deklarohen tek agjencitë. Kështu që në një farë mënyre ka nxjerrë në pah që edhe agjencitë, domethënë si pjesë përbërëse, le të themi. E këtij grupi të madh që përbën sektorin e ndërtimit, ishin pjesë ndoshta vetë e evazionit.

Evazioni është një problem kompleks në Shqipëri dhe është jo vetëm në Shqipëri në fakt, po në të gjithë vendet e botës, pjesa dërrmuese e vendeve të botës vuajnë nga problemi i evazionit. Nuk është e, nuk është e thjeshtë për të hequr dorë sidomos në një vend që vazhdojmë akoma të kemi pagesa në dorë, vazhdojmë akoma që sistemi, le të themi, i pagesave me kartë të jetë jo shumë i zhvilluar. Ndoshta fjala "i zhvilluar" nuk është termi më i mirë i duhur, por që në thelb kostot e transaksioneve janë të tilla apo, le të themi, kultura e të tjera e të tjera, kanë bërë që ne të vazhdojmë akoma që një pjesë të parave t'i marrim, pagesat t'i bëjmë me dorë, pagesa në të zezë, e të tjera e të tjera, që ka bërë që të vuajmë nga informaliteti. Edhe në raport me vendet e tjera të rajonit, në qoftë se prodhimi, të ardhurat fiskale gjithëpërfshirëse në Shqipëri janë rreth 28.5% e prodhimit të përgjithshëm bruto, mesatarja e rajonit është rreth 32%. Kështu që, në një farë mënyre kemi akoma punë për të bërë përsa i përket evazionit fiskal.

  Sektori i ndërtimit, siç e përmenda në fillim të bisedës, përbën rreth 12% të produktit të brendshëm bruto. Po ashtu edhe sektori i bujqësisë që ndoshta ne shikojmë ndoshta me pak përçmim, është përsëri një sektor që vuan nga informaliteti dhe përbën, është edhe më i rëndësishëm sesa sektori i ndërtimit sepse ai arrin deri në 15.3% të produktit të brendshëm bruto. Sektori i ndërtimit sigurisht është shumë sensitiv si sektor, për arsye që vitet e fundit të gjithë kemi folur, është një sektor që shpeshherë bëjmë pyetjen që ku gjenden domethënë, si ka mundësi që kemi arritur në këto çmime ndërkohë që të ardhurat e shqiptarëve janë ato që janë.

Dhe prandaj kemi thënë shpesh që është një sektor me probleme të mëdha të informalitetit, të depërtimit të ekonomisë informale në sektorin e ndërtimit. Së fundmi kemi parë që ka pasur dhe një sërë arrestimesh, pra depërtimi i ekonomisë kriminale tek sektori i ndërtimit e të tjerë. Agjencia e Inteligjencës Financiare përsëri në domethënë vënte fokusin kryesor se një ndër sektorët le të themi më të prekur nga pastrimi i parave është pikërisht sektori i ndërtimit, kështu që normalisht ka një vëmendje të veçantë dhe është sigurisht duhet mbikëqyrur.

 Problemi, problemi është shumë kompleks dhe kështu që nuk është se zgjidhet duke i vënë fajin agjencisë. Në qoftë se unë jam klient dhe shkoj te agjencia dhe i them që 'o do ma shesësh siç do them unë, ose do shkoj te një agjenci tjetër, normalisht edhe agjencitë mundohen t'i përshtaten realitetit në të cilin jetojnë. Në qoftë se tregu domethënë ka përqindje relativisht të madhe të personave që paguajnë nën dorë apo një pjesë të të ardhurave të tyre nuk i kanë përmes kanaleve bankare, automatikisht edhe agjencia, edhe pse është duke shkelur ligjin në një farë mënyre, duhet t'i përshtatet tregut dhe ky është një nga faktorët.

Sigurisht agjencitë shkelin ligjin dhe janë përsëri dhe ata pjesë përbërëse e këtij sistemi. Të tretët janë deri diku noterët dhe ndërtuesit, kryesisht ndërtuesit. Sepse ndodh shpesh në Shqipëri që shpeshherë apartamentet shiten me çmimin e referencës. Dhe  nga një anë agjencitë përmendin, ku ta di unë, çmimet që nga 1200 deri në 2500 euro për metër katror në zona të ndryshme të Tiranës, në disa zona elitare dhe më shumë se sa kaq.

 

EMISIONET