“Kërkesat nuk janë plotësuar”/ Pedagogët: Të vlerësohet vjetërsia në punë, rritje buxheti për kërkimin shkencor
Pedagogët e mirëpresin rritjen e pagës me 20% por e cilësojnë të paplotësuar kërkesën e tyre për aq kohë sa nuk ka rritje rroge edhe për stafin ndihmës akademik dhe atë administrativ. Nga qeveria kërkojnë po ashtu vlerësim të vjetërsisë në punë si dhe shtim të buxhetit për kërkimin shkencor.
Pedagogët e vlerësojnë vendimin e qeverisë për rritjen e pagave të tyre me 20% por shprehin pakënaqësi që stafi ndihmës akademik dhe ai administrativ nuk përfiton nga kjo vendimmarrje.
“Është tepër e rëndësishme, sepse sstafik ndihmës i trupit akademik është ndër pilarët kryesorë të zhvillimit të universitetit. Pra përveç profesoriatit, është dhe ky. Dhe në këtë prizëm është tepër i rëndësishëm sepse shpeshherë këta anashkalohen dhe kjo dëmton rëndë gjithë procesin universitar”, shprehet Aleksandër Kovaçi.
Aleksandër Kovaçi, Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Arsimit të Lartë thotë se rritja me 10% që u është lënë në dorë universiteteve është vështirë të realizohet veçanërisht në rrethe.
“Ky 10 përqindëshi që do të bëhet në universitete, nuk garantohet sërish, sepse disa universitete nuk kanë realizuar dot as 8 përqindëshin e vitit të kaluar”, shprehet ai.
Pedagogët kërkojnë që t`ju vlerësohet vjetërsia e punës, dëshirojnë po ashtu vlerësim më të lartë financiar për orët mësimore shtesë.
“Pasi, një profesor i cili ka një eksperiencë 30-vjeçare në universitet nuk mund të paguhet njëlloj me një person që ka të njëjtin titull dhe që ka kontribut 15-vjeçar. Kjo VKM duhet të pasqyrohet edhe në pagesat e orëve shtesë mësimore”, shprehet Kovaçi.
Përveç rritjes së pagës, tanimë thuajse e plotësuar nga qeveria, shumë prej kërkesave të pedagogëve që adresuan në protestat disamujore ende nuk kanë marrë zgjidhje.
Një ndër to shimi i buxhetit për kërkimin shkencor në masën 0.3% të GDP-së.