Në treg për xhiro/ Qytetarët në Elbasan s’mund të blejnë shumë produkte: Çmimet e shtrenjta
Çmimet e larta të produkteve ushqimore bëjnë që shumë qytetar të mos kenë mundësi të blejnë produktet. Në Elbasan ata thonë se dalin në treg por nuk blejnë asgjë pasi nuk kanë mundësi ekonomike.
Çmimet e larta të produkteve bazë vijojnë të shqetësojnë qytetarët!
Në Elbasan Qytetarët dita-ditës, po konsumojnë më pak produkte të cilat kanë pësuar rritje.
Ata thonë se shumë produkte janë të papërballueshme për të ardhurat e tyre!
“Asgjë nuk bleva sot, 30 lekë dy fije qepë”, u shpreh një qytetar.
“S’kemi çfarë të bëjmë se duam të hamë, por janë shtrenjtë”, thotë një qytetare.
“Pak sallatë, dhe ca perime, nuk kemi më shumë mundësi”, thotë një tjetër qytetare.
Çmimet e bulmetit dhe fruta-perimet janë produktet që ndikojnë më shumë në xhepat e konsumatorëve!
“3 mijë lekë dy kokrra, një brokul dhe një këshut 3 mijë lekë. nuk i përballoj dot se unë jam me një pension”, thotë e moshuara.
“Me pension nuk përballojmë dot asgjë vetëm drita e ujë dhe ikën direkt pensioni”, thotë një tjetër i moshuar.
“Shumë të shtrenjta, dhe njerëzit janë shumë dobët nga ekonomia”, thotë një tjetër qytetar.
Dhe mes dëshirës për të blerë dhe pamundësisë për ta realizuar pensionistët më shumë shëtisin nëpër tregje se sa arrijnë të blejnë ndonjë gjë.