INFLACION NË QERSHOR/ Çmimet u ulën lehtë, por kostoja e jetesës mbetet më e lartë se një vit më parë

Rritja e çmimeve në Shqipëri shënoi një frenim të lehtë gjatë muajit qershor. Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i çmimeve të konsumit ra me 0.1% krahasuar me muajin maj, ndërsa inflacioni vjetor u regjistrua në nivelin 3.2%.

Ulja mujore u ndikua kryesisht nga transporti, ku çmimet ranë me 2.1%. Rënie u shënua edhe në qiratë e banesave me 0.8%, ndërsa çmimet e ushqimeve, veshjeve dhe këpucëve u ulën me 0.5%.

Por, pavarësisht kësaj uljeje të përkohshme, familjet shqiptare vijojnë të përballen me një kosto më të lartë jetese krahasuar me një vit më parë.

Kontributin kryesor në rritjen e inflacionit e dhanë ushqimet dhe pijet joalkoolike, të cilat u shtrenjtuan me 2.9%. Ndërkohë, rritjen më të madhe e regjistroi grupi i argëtimit, sportit dhe kulturës, me një rritje prej 10.2%.

Me nisjen e sezonit turistik, çmimet e restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit u rritën me 3.9%, ndërsa pijet alkoolike dhe duhani u shtrenjtuan me 4.9%.

Rritje të tjera u shënuan edhe në arsim me 3.3%, ndërsa transporti dhe shëndeti u rritën me nga 1.9% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Inflacioni i harmonizuar në Shqipëri prej 3.2% mbetet mbi mesataren e Bashkimit Europian prej 2.9%, por vendi vijon të ketë një nivel më të ulët krahasuar me disa ekonomi të tjera të rajonit.

EMISIONET