Ibrahimaj: Masa të reja kundër informalitetit dhe për mbrojtjen e punonjësve në sezonin turistik

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se për sezonin turistik 2026 është ndërmarrë një plan i posaçëm masash që synon garantimin e punës së denjë, sigurisë në punë dhe respektimin e legjislacionit të punës në sektorin e turizmit.
Ibrahimaj theksoi se turizmi është një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare dhe një ndër kontribuesit më të rëndësishëm në rritjen e punësimit gjatë sezonit veror, por njëkohësisht sjell sfida sa i takon respektimit të të drejtave të punëmarrësve dhe standardeve të punës.
Sipas saj, gjatë sezonit turistik rritet rreziku i punësimit të padeklaruar, informalitetit gri përmes deklarimit jo real të pagave dhe kushteve të punës, mosrespektimit të orarit të punës dhe pushimeve, punësimit të të miturve në kundërshtim me kërkesat ligjore, si dhe moszbatimit të masave për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Për këtë arsye, Inspektorati Shtetëror i Punës ka hartuar një plan të posaçëm masash për sezonin turistik 2026, me fokus forcimin e aktiviteteve parandaluese dhe ndërgjegjësuese, orientimin e kontrolleve drejt subjekteve me risk të lartë dhe reduktimin e punësimit informal.
Plani parashikon gjithashtu garantimin e respektimit të legjislacionit për kohën e punës, pushimet dhe pagesat, mbrojtjen e kategorive të veçanta të punëmarrësve, përfshirë të miturit, gratë shtatzëna, nënat me fëmijë në gji dhe shtetasit e huaj, si dhe forcimin e kontrollit për zbatimin e kërkesave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
“Respektimi i të drejtave të punëmarrësve dhe garantimi i kushteve të sigurta të punës janë përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, punëdhënësve dhe punëmarrësve”, u shpreh ministrja Ibrahimaj, duke nënvizuar se një sezon turistik i suksesshëm ndërtohet mbi punë të formalizuar, kushte të sigurta dhe respektim të ligjit.


