Gurra asfalton tjetër rrugë në fushatë, Bashkia Librazhd 470 mijë euro për restaurim rruge në kohë fushate
Bashkia e Librazhdit ka mbyllur një tjetër tender me vlerë 470 mijë euro për asfaltim rruge, ndërsa punimet përkojnë në periudhë fushate zgjedhore. Përpos kësaj, institucioni që drejtohet nga Kastriot Gurra ka skualifikuar nga gara kompaninë që kërkoi 46 mijë euro më pak se fituesi për të realizuar punën.
Bashkia e Librazhdit ka mbyllur prokurimin e radhës për rikontruksion rrugësh dhe punimet kërkon që t’i kryen në periudhë fushate.
Bëhet fjalë për tenderin për riparimin e aksit Mirakë-Gjovec në njësinë Administrative Polis, ndërsa fituesi është shpallur duke skualifikuar ofertën më të arsyeshme.
Për fondin me vlerë 470 mijë euro kanë marrë pjesë 6 kompani, dy prej të cilave janë skualifikuar nga gara dhe fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “ASI-2A CO” dhe “2Z Konstuksion”të cilat do të duhet të kryejnë punën brenda 61 ditëve që nga nënshkrimi i kontratës.
Subjekti tjetër pjesëmarrës në garë, “Albavia” që kërkoi 46 mijë euro më pak se fituesi është skualifikuar nga gara me arsyetimin se nuk plotëson kriteret e tenderit.
Ky është tenderi i katërt për asfaltim restaurim rrugësh që bën institucioni që drejtohet nga Kastriot Gurra, pasi në dy muajt e fundit ka bërë edhe 3 të tjerë me vlerë totale 610 mijë euro.
E për koiçidencë edhe në prokurimet e tjera procesi i kryerjes së punës rezulton në periudhë fushate për vota, përpos kësaj procedurat bëhen duke cënuar garën e drejt.