Vota me zift në Librazhd/ Gurra kujtohet për asfaltim rrugësh, Bashkia skualifikon ofertat “e mira”
Tenderat për asfaltim rrugësh në kohë fushate nuk mungojnë as në Bashkinë e Librazhdit. Institucioni që drejtohet nga Kastriot Gurra në dy muajt e fundit ka bërë 3 tendera të tillë me vlerë totale 610 mijë euro dhe përpos kësaj 2 nga procedurat janë dhënë duke skualifikuar ofertat më të arsyeshme.
Tenderët për riparim rrugësh janë prezent edhe në Bashkinë e Librazhdit, të cilat përveçse bëhen në kohë fushate zgjedhore, procedura e përzgjedhjes së fituesit eshte ne cenim te garës. Institucioni që drejtohet nga Kastriot Gurra në dy muajt e fundit ka bërë 3 tendera me vlerë totale 610 mijë euro për asfaltim rrugësh.
Kontrata e parë është lidhur në mes të shkurtit. Ajo ka si objekt rikonstruksionin e rrugëve rurale dhe veprave të artit. Fitues janë shpallur bashkim i operatorëve “RESTAURIM GURRA – KACA” dhe “VIANTE Konstruksion” me ofertën sa 99.3% të vlerës së tenderit për të realizuar punën brenda 30 ditëve. Ndërsa konkurrenti tjetër që u skualifikua përbëhej nga bashkimi i operatorëve “NGRACAN 1934” dhe “SHKELQIMI 07” të cilët kishin kërkuar rreth 20 mijë euro më pak se fituesi.
E njëjta metodë është ndjekur edhe në tenderin për rehabilitimin e shesheve dhe një rrugë ne njësinë administrative Polis. Nga 5 konkurrentë që morën pjesë është skualifikuar nga gara oferta më e arsyeshme për të shpallur fitues subjektin “BAJRAMI N” që kërkoi sa 88 të fondit limit për të kryer punimet për 1 muaj. Ndërsa subjekti “INA” që u skualifikua kishte ofertën me 6 mijë euro më pak se fituesi.
Asfaltimi i rrugës gjatë fushatës zgjedhore do bëhet edhe në rrugën e fshatit Çerçan në njësinë administrative Hotolisht. Kjo pasi kontrata është lidhur ditën e hënë ndërsa punimet parazhikohen të mbyllen brenda 4 muajve.