Gjykata Kushtetuese rrëzon koncensionarin gjerman për Portin e Durrësit

Projekti për Portin e Durrësit, Gjykata Kushtetuese rrëzon koncensionarin gjerman.
Gjykata Kushtetuese nuk kalon për shqyrtim ankimimin e kompanisë gjermane EMS.
“Ems Shipping & Trading” GmbH përpunon anijet e mallrave rifuxho në Durrës.
Vendim nr. 179 datë 18.07.2023
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga:
Elsa Toska, Kryesuese
Ilir Toska, Anëtar
Genti Ibrahimi, Anëtar
në datën 18.07.2023 mori në shqyrtim paraprak kërkesën nr. 8 (Sh) 2023 të Regjistrit Themeltar, që u përket:
KËRKUESE: SHOQËRIA “EMS ALBANIAN PORT OPERATOR” SH.P.K.,
SHOQËRIA “EMS SHIPPING & TRADING” GMBH
OBJEKTI: Shfuqizimi i neneve 1, 3 dhe 4 të ligjit nr. 79/2022, datë 24.11.2022 “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company sh.a. dhe NSHMI Development L.L.C., në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit””, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe “Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit”.
Pezullimi i zbatimit të këtyre dispozitave deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
BAZA LIGJORE: Nenet 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pikat 1, shkronja “i” dhe 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; ligji nr. 9590, datë 27.07.2006 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe bashkësisë evropiane e shteteve të tyre anëtare” (MSA); nenet 45 dhe 49, pika 3, shkronja “e”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000).
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese (Kolegji), pasi dëgjoi relatorin e çështjes Genti Ibrahimi, shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
VËREN:
I
Rrethanat e çështjes
1. Shoqëria “Ems Shipping & Trading” GmbH është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e regjistruar në regjistrin tregtar të Aurich, Gjermani, e krijuar me qëllim transportimin e të gjitha llojeve, në veçanti chartering dhe charter të anijeve detare në tregjet ndërkombëtare të transportit dhe lidhjen e kontratave korresponduese të mallrave, si dhe marketing, shërbime dhe këshillime.
2. Në datën 06.05.2013, mes Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit (autoriteti kontraktor) dhe shoqërisë “Ems Shipping & Trading” GmbH (koncesionari) është lidhur kontrata e koncesionit për menaxhimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Terminalit Lindor të Portit të Durrësit, nëpërmjet së cilës koncesionarit i është dhënë e drejta, në përputhje me kushtet e kësaj kontrate, për menaxhimin, operimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik e adaptimin për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit. Operimi i terminalit do të përfshijë ngarkimin dhe shkarkimin kryesisht të anijeve me ngarkesa rifuxho, mineral qymyr etj., por edhe të anijeve me ngarkesa të përgjithshme/gjenerale dhe për ngarkesa për projekte sipas rastit. Për sa i përket përpunimit të ngarkesave rifuxho operatori do të bëjë të gjitha përpjekjet për të arritur një shkallë të lartë specializimi, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe uljen e kostove për njësi. Shërbimet që do të ofrohen do të përfshijnë, gjithashtu, edhe aktivitetet e lidhura me to, me anijet dhe ngarkesat, të tilla, si: përpunimi i ngarkesave, depozitimi, magazinimi, lëvizjet ekstra, transporti, spontimi, marrja dhe shpërndarja, përfshirë marrjen e masave për burimet e kërkuara në infrastrukturë, mjete, pajisje, sisteme, praktika, procedura, programe, organizim dhe burime njerëzore në përputhje me praktikat më të mira industriale dhe siç janë specifikuar në termat e referencës (neni 2, pika 2.1.) Sipas pikës 2.2., zona në të cilën shtrihet ky koncesion (kalatat nr. 10 dhe 11 dhe sheshet) përcaktohet sipas vizatimeve dhe hartave bashkëlidhur kontratës dhe përcaktimeve në masterplanin e miratuar me VKM-në nr. 546, datë 28.05.2009. Sipas pikës 2.5. koncesioni sipas kësaj kontrate jepet për një periudhë prej 35 vjetësh. Sipas nenit 16, zgjidhja e kontratës bëhet në rastet e forcës madhore, për mospërmbushje nga koncesionari ose nga autoriteti kontraktues. Në këto raste, pala tjetër ka të drejtë t`i drejtohet gjykatës për përcaktimin e shumës së kompensimit ose dëmshpërblimit dhe, sipas nenit 20, mosmarrëveshjet në lidhje me ketë kontratë do të zgjidhen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
3. Shoqëria “Ems Albanian Port Operator” (EMS APO) sh.p.k., sipas ekstraktit të regjistrit tregtar, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e regjistruar më 04.06.2013, me objekt të aktivitetit menaxhimin, operimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik e adaptimin e Terminalit Lindor të Portit të Durrësit, sipas marrëveshjes koncesionare të lidhur me qeverinë shqiptare.
4. Në datën 14.04.2022 shoqëria “Symphony Real Estate Development” sh.p.k. dhe Këshilli i Ministrave kanë rënë dakord për disa terma dhe kushte thelbësore “në parim” dhe “jo detyruese” që dëshmojnë interesin e tyre të ndërsjellë për zhvillimin e projektit për zhvillimin urban dhe rigjallërimin e një pjese të qytetit të Durrësit, duke përdorur elementet e arkitekturës tradicionale shqiptare, të integruara me arkitekturën bashkëkohore mesdhetare nëpërmjet një rikonceptimi të ri të portit dhe zonës përreth, duke sjellë një bregdet të ri, duke integruar zonën rezidenciale përgjatë vijës bregdetare dhe marinës, si dhe për të orientuar turizmin vendas drejt atij elitar dhe të tjerëve.
5. Me vendimin nr. 14/6, datë 02.12.2021 (vendimi nr. 14/6), Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), ka vendosur miratimin e statusit “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” për projektin e investimit “Marina & Jahtet e Durrësit” (Durrës Yachts & Marina), dhe sipas pikës 3 të tij ky projekt do të realizohet nga subjekti aplikues “Symphony Real Estate Development” sh.p.k. Me vendimin nr. 14/45, datë 18.07.2022 të KIS-it janë miratuar disa ndryshime në vendimin nr. 14/6, mes të tjerash, realizimi i projektit nga shoqëria “Eagle Hills Real Estate Development” sh.p.k. (ish-“Symphony Real Estate Development” sh.p.k.) dhe garantues financiar shoqëria NSHMI Development L.L.C.
6. Ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe shoqërisë “Eagle Hills Real Estate Development” sh.p.k., shoqërisë “Albanian Seaports Development Company” sh.a. dhe shoqërisë NSHMI Development L.L.C. është lidhur marrëveshja kuadër, me qëllim rregullimin dhe përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve në lidhje me zbatimin e projektit, ofrimin e shërbimeve, funksionimin e investitorit strategjik, dhënien e të drejtave të zhvillimit në sheshin e projektit, parimet e drejtimit të biznesit të investitorit strategjik, si dhe të drejtat dhe detyrimet e palëve (pika 3.1.).
7. Me ligjin nr. 79/2022, datë 24.11.2022 (ligji nr. 79/2022), Kuvendi i Shqipërisë, në mbështetje të neneve 78, 83, pikat 1 dhe 2 dhe 155 të Kushtetutës, ka miratuar marrëveshjen kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company sh.a., dhe NSHMI Development L.L.C. për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”, si dhe shtojcat e kësaj marrëveshjeje kuadër sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji (neni 1). Sipas nenit 2 (regjimi i posaçëm në zbatim të marrëveshjes), dhënia e lejeve, licencave dhe akteve të tjera administrative të nevojshme për realizimin e projektit bëhet sipas legjislacionit në fuqi dhe pronat e paluajtshme shtetërore të transferuara në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike për zhvillimin dhe realizimin e këtij projekti i kalojnë në pronësi me VKM shoqërisë “Albanian Seaports Development Company” sh.a. Neni 3 i ligjit (miratimi i statutit të shoqërisë së përbashkët) parashikon se kushtet thelbësore që duhet të përmbajë statuti i shoqërisë së përbashkët janë sipas shtojcës 8 të ligjit, kurse sipas nenit 4 (miratimi i marrëveshjeve), shoqëria “Albanian Seaports Development Company” sh.a. lidh marrëveshjen e zhvillimit dhe kontratën për transferimin e titullit të pronësisë sipas tekstit të dokumenteve bashkëlidhur këtij ligji, dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë lidh marrëveshjen “Për Marinën e Durrësit” sipas tekstit të dokumentit bashkëlidhur këtij ligji. Ky ligj është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 173, datë 22.12.2022 dhe ka hyrë në fuqi 15 ditë pas botimit.
8. Në datën 05.05.2023 kërkueset i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me ankim kushtetues sipas objektit të tij.
II
Pretendimet e kërkueseve
9. Kërkueset, në mënyrë të përmbledhur, kanë parashtruar se:
A) Për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 145/2020:
9.1. Nenet 1, 3 dhe 4 të ligjit nr. 79/2022 dhe zbatimi i marrëveshjeve që ato miratojnë cenojnë drejtpërdrejt veprimtarinë ekonomike të kërkueseve. Dinamika e kësaj veprimtarie ekonomike mund të precipitojë shumë shpejt për shkak të avancimit në implementimin e projektit që mbivendoset me kontratën e koncesionit të kërkueseve.
B) Për legjitimimin e kërkueseve:
9.2. Kërkueset legjitimohen në kuptim të nenit 49, pika 3, shkronja “e”, të ligjit nr. 8577/2000, pasi ato kanë përfituar të drejta nga kontrata e koncesionit mbi bazën e të cilave kanë zhvilluar veprimtarinë.
9.3. Kërkueset nuk kanë mjet tjetër për të shteruar përpara paraqitjes së kërkesës për kontrollin e pajtueshmërisë së ligjit me Kushtetutën dhe shqyrtimi i çështjes nga Gjykata do të mund të rivendoste të drejtën e shkelur. Dispozitat e kundërshtuara janë drejtpërdrejt të zbatueshme dhe nuk parashikohet nxjerrja e akteve nënligjore për zbatimin e tyre.
9.4. Kërkueset kanë respektuar afatin ligjor 4-mujor nga konstatimi i cenimit, pasi ligji nr. 79/2022 ka hyrë në fuqi më 06.01.2023, kurse kërkesa është paraqitur më 05.05.2023.
C) Për themelin e çështjes kërkueset kanë pretenduar se u është cenuar:
9.5. Liria e veprimtarisë ekonomike dhe parimi i barazisë përpara ligjit, të parashikuara nga nenet 11 dhe 18 të Kushtetutës. Zona e projektit që do t`i dorëzohet investitorit strategjik me përmbushjen e kushteve të fazës 1 (aneksi 11 i marrëveshjes kuadër) mbivendoset në një pjesë të konsiderueshme të zonës së koncesionit në Terminalin Lindor, ndërsa zona e fazës 2 (aneksi 12 i marrëveshjes kuadër), mbivendoset në të gjithë zonën e koncesionit. Për rrjedhojë, cenohen në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtat dhe liritë e kërkueseve, të cilat, bazuar në kontratën e koncesionit, zhvillojnë veprimtari ekonomike në Terminalin Lindor dhe kanë realizuar investime. Ligji miraton dhënien e të drejtave një subjekti privat, duke cenuar pronën dhe aktivitetin e kërkueseve.
9.6. Parashikimet e MSA-së, pasi dispozitat ligjore të kundërshtuara parashikojnë përjashtimin nga procedurat ligjore konkurruese të shoqërive palë në marrëveshje. Parimet e MSA-së, të marra përsipër dhe nga shteti shqiptar, reflektohen në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat, ligjin për prokurimet dhe aktet nënligjore të dala në bazë e për zbatim të tyre, legjislacion në thelb të të cilit qëndron përzgjedhja në përputhje me parimet e konkurrencës, transparencës, mosdiskriminimit, proporcionalitetit, efikasitetit, trajtimit të barabartë, reciprocitetit dhe sigurisë ligjore.
9.7. Referuar nenit 6 të marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe, të ratifikuar me ligjin nr. 145/2020, duket sikur përjashtohet projekti për rizhvillimin e Portit të Durrësit nga procedurat konkurruese. Nëse Republika e Shqipërisë ka marrë përsipër të privilegjojë investitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe, kjo bie ndesh me dispozitat e MSA-së. Ndaj përpara Gjykatës shtrohet çështja nëse duhet të zbatohen dispozitat e Kushtetutës dhe të MSA-së apo neni 6 i Marrëveshjes së Bashkëpunimit, dispozitë që diskriminon investitorët vendas dhe ata të komuniteteve evropiane e shteteve anëtare, të cilët respektojnë parimet e gjithëpranuara të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës, që garantohen nga procedura konkurruese, ndërsa investitorët e Emirateve të Bashkuara Arabe i vendos mbi këto parime dhe ata përfitojnë kontrata publike pa iu nënshtruar procedurave përzgjedhëse konkurruese. Referuar Konventës së Vjenës kjo dispozitë është e pavlefshme, pasi në kohën e lidhjes së këtij akti ai binte ndesh me një normë të së drejtës ndërkombëtare të përgjithshme.
III
Vlerësimi i Kolegjit
A. Për legjitimimin e kërkueseve
10. Çështja e legjitimimit (locus standi) është një ndër aspektet kryesore që lidhet me inicimin e një procesi kushtetues. Sipas neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pikat 1, shkronja “i” dhe 2, të Kushtetutës, si dhe nenit 71 të ligjit nr. 8577/2000, çdo individ, person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, mund të vërë në lëvizje Gjykatën për gjykimin përfundimtar të ankesave kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë. Ankimi kushtetues individual, në çdo rast, duhet të plotësojë kriteret e nenit 71/a të ligjit nr. 8577/2000, që lidhen me shterimin e mjeteve juridike efektive, afatin e paraqitjes së kërkesës, pasojat negative të pësuara në mënyrë të drejtpërdrejtë e reale, mundësinë për rivendosjen e së drejtës së shkelur, si dhe rregullimet e veçanta ligjore të shqyrtimit paraprak të kërkesës.
11. Gjykata ka pohuar se bazuar në nenet 49, pika 3, shkronja “e” dhe 71, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000, objekt i ankimit kushtetues individual, krahas vendimit gjyqësor, mund të jetë edhe ligji ose akti normativ. Në këto raste, nisur nga përmbajtja e normave kushtetuese dhe atyre ligjore, kërkuesi legjitimohet nëse plotësohen bashkërisht këto kritere: (i) legjitimimi ratione personae, në kuptimin që individi provon se është bartës i së drejtës kushtetuese të pretenduar të cenuar, si dhe provon interesin në lidhje me çështjen, pra cenimin e drejtpërdrejtë dhe real të së drejtës kushtetuese; (ii) shterimi i mjeteve juridike efektive për mbrojtjen e së drejtës kushtetuese të pretenduar të cenuar ose individi provon se akti i kundërshtuar është drejtpërdrejt i zbatueshëm; (iii) legjitimimi ratione temporis, në kuptimin që individi ka paraqitur ankim brenda afatit ligjor 4-mujor nga konstatimi i cenimit; (iv) dhe legjitimimi ratione materiae, në kuptimin që individi provon se pretendimet e ngritura janë të tilla që bëjnë pjesë në juridiksionin kushtetues, pra të drejtat dhe liritë themelore, që pretendohen se janë cenuar, janë të garantuara në Kushtetutë, si dhe shqyrtimi kushtetues i çështjes mund të rivendosë të drejtën kushtetuese të shkelur (shih vendimet nr. 34, datë 12.06.2023; nr. 4, datë 21.02.2022; nr. 31, datë 04.10.2021 të Gjykatës Kushtetuese).
12. Duke analizuar faktet me natyrë kushtetuese me qëllim të verifikimit të plotësimit të këtyre kritereve nga kërkueset, Kolegji vëren se mes Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, si autoritet kontraktor, dhe kërkueses, shoqërisë “Ems Shipping & Trading” GmbH, si koncesionar, është lidhur kontrata e koncesionit për menaxhimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Terminalit Lindor të Portit të Durrësit. Kurse kërkuesja tjetër, shoqëria “Ems Albanian Port Operator” (EMS APO) sh.p.k. është regjistruar si subjekt më 04.06.2013, me objekt të aktivitetit të saj menaxhimin, operimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik e adaptimin e Terminalit Lindor të Portit të Durrësit, sipas marrëveshjes së mësipërme koncesionare.
13. Kjo marrëveshje ka përcaktuar, përveç të drejtave dhe detyrimeve të palëve, edhe rastet e zgjidhjes së kontratës, të drejtën e palëve për dëmshpërblim, si dhe gjykatën kompetente. Sipas kontratës së koncesionit, autoriteti kontraktues, nëpërmjet kësaj kontrate dhe në përputhje me kushtet e saj, i jep koncesionarit të drejtën për menaxhimin, operimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik dhe adaptimin për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit. Operimi i terminalit do të përfshijë ngarkimin dhe shkarkimin kryesisht të anijeve me ngarkesa rifuxho, minerale, qymyr etj., por edhe të anijeve me ngarkesa të përgjithshme/gjenerale dhe për ngarkesa për projekte, sipas rastit. Për sa i përket përpunimit të ngarkesave rifuxho, operatori do të bëjë të gjitha përpjekjet për të arritur një shkallë të lartë specializimi, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe uljen e kostove për njësi. Shërbimet që do të ofrohen do të përfshijnë, gjithashtu, edhe aktivitetet e lidhura me to me anijet dhe ngarkesat, të tilla, si: përpunimi i ngarkesave, depozitimi, magazinimi, lëvizjet ekstra, transporti, spontimi, marrja dhe shpërndarja, duke përfshirë edhe marrjen e masave për burimet e kërkuara në infrastrukturë, mjete, pajisje, sisteme, praktika, procedura, programe, organizim dhe burime njerëzore në përputhje me praktikat më të mira industriale dhe siç janë të specifikuara në termat e referencës. Zona në të cilën shtrihet ky koncesion (kalatat nr. 10 dhe nr. 11 dhe sheshet) përcaktohet sipas vizatimeve dhe hartave bashkëngjitur kësaj kontrate dhe përcaktimeve në masterplanin e miratuar me VKM-në nr. 546, datë 28.05.2009.
14. Kolegji vëren se kërkueset i janë drejtuar drejtpërdrejt Gjykatës me ankim kushtetues individual për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit nr. 79/2022, si të papajtueshme me Kushtetutën, duke pretenduar, në thelb, se ato cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe parimin e barazisë përpara ligjit. Sipas kërkueseve cenohen në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtat dhe liritë e tyre, të cilat, bazuar në kontratën e koncesionit, zhvillojnë veprimtari ekonomike në Terminalin Lindor dhe kanë realizuar investime. Projekti që do t`i dorëzohet investitorit strategjik me përmbushjen e kushteve të fazës 1 (aneksi 11 i marrëveshjes kuadër) mbivendoset në një pjesë të konsiderueshme të zonës së koncesionit në Terminalin Lindor, ndërsa zona e fazës 2 (aneksi 12 i marrëveshjes kuadër) mbivendoset në të gjithë zonën e koncesionit. Sipas tyre janë cenuar edhe parashikimet MSA-së, pasi dispozitat ligjore parashikojnë përjashtimin nga procedurat ligjore konkurruese të shoqërive palë në marrëveshje. Po kështu, në përmbajtje të kërkesës, janë ngritur pretendime edhe për përmbajtjen e nenit 6 të marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila është ratifikuar me ligjin nr. 145/2020, pasi kjo dispozitë diskriminon investitorët vendas dhe ata të komuniteteve evropiane e shteteve anëtare, ndërsa investitorët e Emirateve të Bashkuara Arabe përfitojnë kontrata publike pa iu nënshtruar procedurave përzgjedhëse konkurruese.
15. Kolegji vlerëson se edhe pse kanë barrën e provës në këtë drejtim, kërkueset nuk kanë arritur të provojnë interesin e tyre të drejtpërdrejtë për kundërshtimin e dispozitave të ligjit nr. 79/2022. Referuar përmbajtjes së kontratës koncesionare, e cila ka përcaktuar objektin dhe fushën e veprimtarisë, si dhe referuar përmbajtjes së ligjit të kundërshtuar, kërkueset nuk kanë arritur të provojnë se në çfarë mënyre preken nga këto akte në mënyrë të drejtpërdrejtë në ushtrimin e kësaj veprimtarie për menaxhimin, operimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik dhe adaptimin për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit. Kërkueset nuk kanë parashtruar në kërkesë asnjë argument në lidhje me pasojat konkrete që kanë ardhur në këtë kontratë koncesionare, pra në drejtim të vlefshmërisë dhe kohëzgjatjes së saj. Ato nuk kanë pretenduar se kjo kontratë ka përfunduar në mënyrë të njëanshme nga ana e autoritetit kontraktues apo se ka ardhur ndonjë pasojë tjetër në këtë marrëdhënie. Në rastin konkret, nga shteti nuk janë ndërmarrë ende veprime juridike dhe faktike, si dhe nuk ka pasur njoftime për prishjen e kontratës. Vetëm kur këto veprime të ndërmerren do të lindin pasoja konkrete për interesat e kërkueseve. Nga ana tjetër, për të gjitha të drejtat që kanë lindur dhe janë ushtruar nga kërkueset në bazë të kontratës së koncesionit, ato kanë të drejtën të kërkojnë mbrojtjen ligjore që ofron legjislacioni në fuqi, si dhe parashikimet e kësaj kontrate, në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Vetëm fakti se ato ushtrojnë një veprimtari të caktuar në një zonë e cila është vendosur t`i jepet për zhvillim një subjekti të caktuar, nuk i legjitimon ato në nivel kushtetues, për sa kohë që kanë mjete të tjera ligjore në dispozicion të ofruara nga legjislacioni i zakonshëm.
16. Për sa më sipër, Kolegji vlerëson se kërkueset nuk kanë parashtruar argumente kushtetuese për të provuar cenimin real dhe jo hipotetik të të drejtave dhe lirive të tyre themelore të mbrojtura kushtetutshmërisht. Në mënyrë që të pretendojnë se janë viktima të një shkeljeje kërkueset duhet të provojnë se preken në mënyrë të drejtpërdrejtë nga dispozitat ligjore që kundërshtojnë. Në këtë kuptim, kërkueset nuk kanë arritur të provojnë se cilat janë interesat e tyre konkrete që janë prekur nga ligji nr. 79/2022 me të cilin është miratuar marrëveshja kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company sh.a. dhe NSHMI Development L.L.C., në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”, për rrjedhojë nuk legjitimohen ratione personae për kundërshtimin e dispozitave objekt kërkese.
17. Kolegji vëren, gjithashtu, se edhe pse nuk është kundërshtuar në objektin e kërkesës në shqyrtim, në përmbajtje të saj kërkueset kanë ngritur pretendime edhe në lidhje me nenin 6 të Marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe asaj të Emirateve të Bashkuara, e ratifikuar me ligjin nr. 145/2020. Sipas tyre, kjo dispozitë diskriminon investitorët vendas dhe ata të komuniteteve evropiane e të shteteve anëtare, të cilët respektojnë parimet e gjithëpranuara të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës, ndërkohë që investitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe i vendos mbi këto parime dhe ata përfitojnë kontrata publike pa iu nënshtruar procedurave përzgjedhëse konkurruese. Kolegji vëren se në jurisprudencën e saj Gjykata ka vlerësuar se në juridiksionin kushtetues, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës, përfshihet kontrolli kushtetues i marrëveshjeve ndërkombëtare vetëm para ratifikimit të tyre me ligj nga Kuvendi dhe se dispozitat kushtetuese nuk i njohin asaj në mënyrë të shprehur dhe të drejtpërdrejtë kompetencën për të vendosur për kushtetutshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare pas ratifikimit dhe pasi ato bëhen pjesë e rendit të brendshëm juridik (shih vendimin nr. 36, datë 16.06.2023 të Gjykatës Kushtetuese). Për rrjedhojë, Kolegji vlerëson se çdo pretendim që ka të bëjë me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare pas ratifikimit të saj nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit kushtetues.
18. Kolegji vlerëson se në kushtet që kërkueset nuk arritën të provojnë interesin e tyre për t`iu drejtuar kësaj Gjykate, nuk është e nevojshme të vijohet me vlerësimin e kritereve të tjera të legjitimimit.
19. Në përfundim, Kolegji çmon se kërkesa nuk plotëson kriteret ligjore për kalimin e saj për shqyrtim në seancë plenare.
PËR KËTO ARSYE,
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në bazë të neneve 31 dhe 31/a, pikat 1 dhe 2, shkronja “b”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,
V E N D O S I:
Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.




















