Çfarë po i shtyn shqiptarët të heqin dorë nga shtetësia? 900 raste u shënuan gjatë vitit të shkuar

Çfarë po i shtyn shqiptarët të heqin dorë nga

Shqiptarët jo vetëm po largohen, por po braktisin përfundimisht vendin. Për një pasaportë evropiane apo australiane gati 900 persona hoqën dorë nga shtetësia shqiptare vitin e shkuar.

Në krahasim me vitin 2023, numri i atyre që “ikin pa kthim” u rrit me 52 raste ose 6.1 për qind.

Rafael Todhe, jurist në Gjermani, shprehet: “Të paktë janë shtetet të cilat të lejojnë dy nënshtetësinë. Normalisht shteti i cili të pret pretendon që të lini shtetësinë tuaj e të përfitoni atë të vendit ku jetoni. Marrja e nënshtetësinë është një procedurë e tejzgjatur dhe personat e kualifikuar kanë përparësi. Mund të shkoj ky proces deri në 7-8 vjet”.

Përherë e më shumë shqiptarët po heqin dorë nga pasaporta e vendit të lindjes për të marrë atë të një shteti që u ofron më shumë, së paku në një drejtim, atë të ekonomisë.

Të dhënat nga Ministria e Brendshme tregojnë se në dekadën e fundit janë mbi 6 mijë e 600 shqiptarë që kanë hequr dorë nga pasaporta shqiptare.

“Shumë vende të bashkimit europian nuk e lejojnë dyshtetësinë, ndër to gjermania, Austria, Holanda, Spanja nuk e lejojnë. Shtete ku flukset e emigrimit të shqiptarëve janë më të mëdha”, thekson Todhe.

Por, çfarë po i shtyn të heqin dorë nga shtetësia?

Eldisa Cirogu, studiuese e emigracionit, shpjegon: “Pjesa më e madhe që i shtynë janë 3 indikatorë një punë më e mirë arsim më i mirë shëndetësi më e mirë. Nuk përfitojnë nga shumë përparësi që shtetet japin. Nëse e marrin atë janë shtetas europian dhe përfitojnë së pari lëvizjen e lirë, ndryshimin e vendbanimit”.

Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 52 për qind e të larguarve nga vendi janë të rinj të grup-moshës 15-35 vjeç.

“Përveç tkurrjes ekonomike, forca e madhe e punës largohet, nga ana tjetër ne perceptojmë një tkurrje demografike, plakje më e shpejtë e popullsisë sonë”, tha Cirogu.

Sipas të dhënave nga EUROSTAT, më shumë se 521 mijë qytetarë shqiptarë kanë marrë në 20 vitet e fundit shtetësinë e njërit nga vendet e Bashkimit Europian./A2

EMISIONET