Debat për aeroportin e Vlorës: Përplasje e fortë mes Pacollit e Ministrisë së Infrastrukturës!

Debat për aeroportin e Vlorës: Përplasje e fortë mes

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër ndaj shqetësimeve të ngritura nga Ministria e Infrastrukturës lidhur me marrëveshjen e financimit prej 100 milionë eurosh të lidhur mes kompanisë së tij MABCO dhe fondit Delphos Securities për projektin e Aeroportit të Vlorës. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Pacolli e cilësoi të gjithë debatin rreth Delphos si një “gënjeshtër të turpshme”, duke lënë të kuptohet se pretendimet e ngritura prej muajsh për marrëveshjen e financimit janë përdorur për të ndikuar edhe në procese gjyqësore.

“Narrativa rreth Delfosit është një GENJESHTËR e turpshme që ka krijuar huti në opinion dhe ka shërbyer si instrument për GJYQTARË të caktuar që lëshuan vendime gjyqësore të kundërligjshme”, shkruan Pacolli.
Reagimi i tij vjen pasi Ministria e Infrastrukturës i ka dërguar një shkresë zyrtare MABCO-s, ku ngre dyshime se kompania mund të ketë paraqitur informacion jo të plotë ose të pasaktë në lidhje me detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e financimit me fondin Delphos.

Sipas shkresës së ministrit Enea Karakaçi, disa dispozita të amendimit të marrëveshjes së huasë nuk përputhen me mënyrën se si kredia është paraqitur më herët nga MABCO pranë autoritetit kontraktues. Ministria shpreh shqetësimin se marrëveshja mund të krijojë detyrime për shoqërinë koncesionare Vlora International Airport (VIA) dhe potencialisht edhe për vetë aeroportin.

Në reagimin e tij, Pacolli shpreh habi për faktin se shqetësimet po ngrihen tani, ndonëse sipas tij pretendimet janë artikuluar prej kohësh dhe kanë marrë përgjigje përfundimtare nga Gjykata e Lartë.

“Për muaj me radhë dëgjuam të njëjtat spekullime, akuza, të njëjtat pretendime, të njëjtat teori, Delfos, Delfos, Delfos. U thanë në studio televizive, në deklarata politike, në procese gjyqësore. Atëherë konsideroheshin thjesht pretendime të një pale në konflikt. Sot, papritur, po shfaqen si shqetësime institucionale”, shkruan ai.
Pacolli kundërshton gjithashtu idenë se një investitor mund të ngarkojë detyrime mbi të drejta që nuk i zotëron i vetëm, duke argumentuar se në çdo marrëdhënie koncesionare ekzistojnë kufij të qartë juridikë dhe se asnjë palë nuk mund të disponojë të drejta që u përkasin edhe aktorëve të tjerë, përfshirë shtetin.

Ai kërkon që organet ligjzbatuese të hetojnë atë që e konsideron si përdorim të qëllimshëm të narrativës së Delphos për të ndikuar në vendimmarrje gjyqësore dhe institucionale. “Koha zakonisht i jep përgjigjet që politika përpiqet t’i fshehë”, përfundon Pacolli.

REAGIMI I PLOTE I BEHGJET PACOLLIT
Narrativa rreth Delfosit është një GENJESHTËR e turpshme që ka krijuar huti në opinion dhe ka sherbyer si instrumet per GJYQETARË të caktuar që leshuan vendime gjyqesore të kunderligjeshme.

Këto veprime të jashtëligjeshme përveç dëmit të pariparueshëm që i kanë shkaktuar MABCO-s, komunitetit dhe shtetit, kanë tentuar gjithashtu të cenojnë rendin kushtetues dhe juridik të vendit. Organet përgjegjëse për luftimin e krimit duhet t’i hetojnë dhe t’i ndëshkojnë këto fenomene në përputhje me ligjin, për të mbrojtur shtetin e së drejtës dhe institucionet e tij.”

Ka diçka që më bën gjithmonë përshtypje në jetën publike shqiptare. Kaq shpesh, nuk është aq interesante ajo që thuhet, sa momenti kur vendoset të thuhet.
Për muaj me radhë dëgjuam të njëjtat spekullime, akuza, të njëjtat pretendime, të njëjtat teori, Delfos Delfos, Delfos. U thanë në studio televizive, në deklarata politike, në procese gjyqësore. Atëherë konsideroheshin thjesht pretendime të një pale në konflikt. Sot, papritur, po shfaqen si shqetësime institucionale edhe kur pretendimet morën përgjigjie shteruese nga Gjykata e Lartë. Pra, çdo biznesmen normal këtu ka të drejtën të pyesi veten se çfarë ka ndryshuar?

Sepse faktet ose janë të vërteta që në ditën e parë, ose nuk janë fare. Ato nuk bëhen të vërteta vetëm kur ndryshon zëri që i shqipton. Më habit gjithashtu edhe vetëm ideja se një investitor mund të vendosë barrë mbi të drejta që nuk i zotëron i vetëm. Në çdo marrëdhënie koncesionare ekzistojnë kufij të qartë. Askush nuk mund të disponojë atë që nuk është vetëm e tij. Aq më pak kur në mes qëndrojnë të drejta dhe interesa që i përkasin edhe shtetit. Kjo është e qartë si drita e diellit!

Prandaj, pyetja nuk është nëse dikush mund ta bëjë këtë. Pyetja është nëse mund ta bëjë pa miratimin e atyre që kanë pjesën e tyre të së drejtës? Dhe përgjigjja duket e qartë po në dritë të diellit. Çdo pretendim tjetër mbetet objekt i proceseve gjyqësore që vazhdojnë. Gjykatat janë vendi ku faktet provohen dhe ku pretendimet dhe spekullimet marrin ose humbasin vlerë juridike.

Por kur debatet juridike fillojnë të shndërrohen në "alarme publike", njeriu nuk mund të mos pyesë veten nëse shqetësimi i vërtetë është ajo që mund të ndodhë nesër, apo ajo që dikush dëshiron të arrijë pasnesër. Përgjigjet shteruese tona me shkrim duhet t'i japin fund spekullimeve të gjithkujt dhe në gojën e gjithkujt!

Koha zakonisht i jep përgjigjet që politika përpiqet t’i fshehë./Lapsi

EMISIONET