Kupa e Botës 2026 : Shtëpia Gjermane e Futbollit : Një qendër e re për pasionin e futbollit gjerman hapet nesër në New York

Më 11 qershor 2026, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) hap për herë të parë Shtëpinë Gjermane të Futbollit (German House of Soccer – GHOS) në Manhattan, duke sjellë kulturën autentike të futbollit gjerman në zemër të qytetit pritës të finales së Kupës së Botës.
E vendosur në Chelsea Industrial, në adresën 525 West 28th Street, kjo hapësirë prej më shumë se 2,000 metrash katrorë do të mirëpresë tifozë, media dhe partnerë nga e gjithë bota nga 11 deri më 11 korrik. Soft opening fillon nesër me ndeshjen hapëse Meksikë – Afrika e Jugut, ndërsa hapja zyrtare është më 12 qershor me një mbrëmje speciale.
“Me Shtëpinë Gjermane të Futbollit krijojmë për herë të parë në një vend pritës të Botërorit një vend qendror ku njerëzit nga e gjithë bota mund të përjetojnë futbollin gjerman pasionin e tij unik, emocionin, vlerat dhe sigurisht lojtarët ikonikë e arritjet e mëdha”, tha Sekretari i Përgjithshëm i DFB-së, Holger Blask.
“Të gjitha këto në zemër të Nju Jorkut, qytetit pritës të finales. E kemi planifikuar këtë projekt të madh për më shumë se një vit e gjysmë bashkë me partnerë si Dhoma Gjermano-Amerikane e Tregtisë, Konsullata Gjermane, DFL dhe partnerët e fortë të kombëtares.” thotë Sekretari i Përgjithshëm i DFB-së, Holger Blask.
"Qëllimi, është të paraqitet një imazh autentik i futbollit gjerman që shkon shumë përtej 90 minutave në fushë."
Ambasadore e veçantë Anne-Kathrin Berger
Portierja e kombëtares gjermane Anne-Kathrin Berger, do të shërbejë si ambasadore e projektit në shtëpinë e saj të adoptuar.
“Për Botërorin 2026 po krijohet një hapësirë shumë e veçantë në Nju Jork – një vend ku mund të shfaqim futbollin gjerman në zemër të Manhattanit dhe ta bëjmë atë vërtet të gjallë”, tha Berger.
“Futbolli ynë ofron tradita të forta, identitet të qartë dhe pasion të madh. Pikërisht këtë duam ta sjellim në jetë në Shtëpinë Gjermane të Futbollit. Jam e lumtur të ndihmoj në krijimin e këtij vendtakimi ku tifozët bashkohen, lidhen dhe ndiejnë energjinë që përfaqëson futbolli gjerman sot.”
Tre Fan zona një shtëpi
GHOS është ndarë në tre zona kryesore për të tërhequr të gjithë publikun, nga tifozët e pasionuar deri te të sapoardhurit, thanë organizatorët.
• Zona e Ditës së Ndeshjes (Match Day Area): Transmetime live të ndeshjeve të Botërorit, programe bisedash, panele dhe aktivitete si darka kuize. Vizitorët gëzojnë ushqim dhe birrë autentike gjermane me çmime miqësore për tifozë, në një atmosferë mikpritëse ndërkombëtare.
• Galeria e Futbollit (Soccer Gallery Area): Përvoja më e thellë me histori, ekspozita interaktive, kulturë tifozësh, tradita të tribunave në këmbë dhe projekte bashkëpunimi. Do të shfaqen trofetë më të rëndësishme në historinë e futbollit gjerman.
• Lounge i Kampionëve (Champions Lounge): Hapësirë ekskluzive VIP për evente me partnerë, kompani dhe institucione – pritje, rrjete dhe diskutime mbi futboll, biznes dhe shoqëri.
Një mundësi unike për diasporën
Hapja e GHOS-së përkon me valën e entuziazmit për Kupën e Botës 2026 në Nju Jork. Ky projekt jo vetëm feston arritjet gjermane, por krijon një urë kulturore në qytetin më multikulturor të botës, duke ftuar edhe komunitetin shqiptar të njohë nga afër pasionin dhe vlerat e futbollit europian.
Me udhëheqës si Presidenti Bernd Neuendorf, Holger Blask, Andreas Rettig, Jurgen Klinsman dhe Rudi Völler e të tjer të pranishëm në hapje, Shtëpia Gjermane e Futbollit premton të bëhet epiqendra e përvojave të paharrueshme gjatë gjithë turneut.
Trashëgimia gjermane në Amerikë. Shtetet e Bashkuara kanë mbi 42 milionë amerikanë me prejardhje gjermane grupi më i madh etnik.
Në shekullin e 19-të, Nju Jorku ishte porta kryesore e emigracionit gjerman: mbi 5.5 milionë gjermanë që hynë përmes portit të tij midis 1820-1920. Në vitet 1850, qyteti konsiderohej i treti më i madh “gjerman” në botë pas Berlinit dhe Vienës, me lagjen “Little Germany” (Kleindeutschland) në Lower East Side si epiqendër kulturore.
Shumë prej tyre u asimiluan me kalimin e kohës në shoqërinë amerikane, por trashëgimia mbetet e gjallë. Sot, Pensilvania ka numrin më të madh absolut (rreth 3.5 milionë), ndërsa Midwestern si Wisconsin, Dakotat, Iowa dhe Nebraska kanë përqindjet më të larta.
Por gjithësesi Nju Jorku, me historinë e tij të fortë, për emigracionin mbetet vend ideal për këtë projekt gjerman.

