Tyler Mane zbulon betejën me sëmundjen e rrallë!

Aktori i njohur Tyler Mane, i famshëm për rolin e Sabretooth në filmin “X-Men”, ka bërë publike një betejë të vështirë shëndetësore, duke zbuluar se është diagnostikuar me një formë të rrallë të kancerit të gjirit te meshkujt.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë aktori përmes një videoje emocionale të publikuar në rrjetet sociale, ku konfirmoi se ka nisur tashmë trajtimin me kimioterapi.
“Kam disa lajme të këqija. Sot filloj kimioterapinë”, u shpreh ai në mesazhin drejtuar fansave të tij.
Mane theksoi se kanceri i gjirit te meshkujt është shumë i rrallë dhe shpesh diagnostikohet në faza të avancuara, pikërisht për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit publik.
“Flitet shumë pak për këtë sëmundje te burrat dhe për këtë arsye zakonisht zbulohet vonë. Dua të ndihmoj që kjo të ndryshojë”, deklaroi aktori.
Ai u bëri thirrje ndjekësve që të shpërndajnë historinë e tij, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për sëmundjen dhe rëndësinë e kontrolleve të hershme.
Në fund të videos, Mane publikoi pamje nga spitali gjatë seancës së parë të kimioterapisë, duke theksuar vendosmërinë e tij për të luftuar sëmundjen.
“Dreqi ta hajë kancerin!”, tha ai me forcë.
Rrëfimi i aktorit ka marrë mijëra reagime mbështetëse nga fansat në mbarë botën, të cilët i kanë uruar shërim të shpejtë dhe forcë në këtë betejë të vështirë.
Tyler Mane ka deklaruar se ka vendosur ta ndajë publikisht historinë e tij jo vetëm si betejë personale, por edhe si mesazh ndërgjegjësimi për një sëmundje që shpesh neglizhohet te meshkujt.


