Kikia: Shoqëria civile ka dhënë kontribut absolut për zonat e mbrojtura, në Shqipëri shkatërrimi vjen përmes ndërtimit
Një valë e re reagimesh publike ka përfshirë vendin pas shqetësimeve për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, ndërsa gazetari dhe analisti Mentor Kikia ka ngritur alarmin për pasojat që, sipas tij, po sjellin ndryshimet ligjore në mjedis.
Gjatë emisionit ”Ora e Betit” në “Ora news “, Kikia u shpreh se shkatërrimi i pasurive natyrore po ndodh përmes lejeve të ndërtimit, duke përmendur si shembuj zona me rëndësi të veçantë si Gjiri i Manastirit, Zvërneci dhe Pishë Poro në Nartë.
Sipas tij, aktivistët mjedisorë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë zhvilluar prej kohësh një betejë publike dhe institucionale për mbrojtjen e këtyre territoreve, përfshirë denoncime të vazhdueshme dhe dërgimin e çështjeve në Gjykatën Kushtetuese.
Kikia kundërshtoi pretendimet se çështjet mjedisore nuk zgjojnë interes publik, duke theksuar se reagimet kanë qenë të vazhdueshme dhe se zëri i aktivistëve është dëgjuar në çdo forum të mundshëm.
Ai vlerësoi se situata aktuale përfaqëson një moment kritik për mbrojtjen e natyrës, pasi pasojat e ndryshimeve ligjore tashmë janë të dukshme në terren dhe po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Sipas gazetarit, ajo që fillimisht ishte një përpjekje e kufizuar për mbrojtjen e mjedisit është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, e cila po nxit debat publik dhe politik mbi të ardhmen e zonave të mbrojtura në vend.
Ai theksoi se rezistenca e qytetarëve dhe organizatave mjedisore po dëshmon rëndësinë e angazhimit publik në mbrojtjen e pasurive natyrore, duke paralajmëruar për rrezikun e një modeli zhvillimi ku, sipas tij, “shkatërrimi vjen përmes ndërtimit”.
Mentor Kikia: Unë jam gazetar, por jam edhe një aktivist i mjedisit dhe në momentin kur po bëheshin ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura, të gjithë kanë qenë aty ku duhej të ishin shkruar, folur, bërtitur, drejtuar institucioneve, Gjykatës Kushtetuese konkretisht, kur u shkatërrua. Apo u shkatërrua përmes ndërtimit?
Sepse këtu është i vetmi vend ku shkatërrimi vjen përmes ndërtimit.
Nuk do të thoja që ka kaq shumë mungesë vëmendje, por gjithsesi ne kemi qenë aty ku duhej të ishim dhe e kemi ngritur zërin aq sa mund ta ngrinim.
Në raport me zonat e mbrojtura, kjo gjë po ndodh pikërisht në fazën kur me miratimin e ndryshimeve në ligj, nuk është që vëmendja e njerëzve që lobojnë për mjedisin mori fund.
Kjo gjë po ndodh pikërisht në mesin e një projekti shumë të rëndësishëm që bëhet pikërisht për të monitoruar pasojat që i vijnë zonave të mbrojtura natyrore nga këto ndryshime ligjore. Dhe Zvërneci, apo Pishë Poro në Nartë, është një nga zonat që ishte pikërisht nën monitorim për të kuptuar se çfarë po ndodh kur u shpërtheu ajo që, jo se nuk dihej, por që nuk kishte marrë këto përmasa.
Kështu që në këtë drejtim, unë mendoj që shoqëria civile përtej ironisë që mund të përdori qeveria në raport me vëmendjen, në raport me argumentin, ka kontributin e saj absolut."
Për më shumë ndiqni emisionin:

