Kallëzohet për ofendime dhe k*rcënime ndaj një zyrtareje, pezullohet ish-drejtori i Policisë së Shkodrës

Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentjan Berberi, është pezulluar nga detyra, ndërsa ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor pas një incidenti të raportuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Sipas informacioneve paraprake, Berberi është paraqitur këtë të enjte në zyrën e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore, ku dyshohet se ka përdorur fjalor fyes dhe ka kërcënuar zyrtaren në lidhje me ndryshimin e pozicionit të tij në strukturat e Policisë së Shtetit.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi Gentjan Berberi u largua nga detyra e drejtorit të Policisë së Shkodrës. Shkarkimi i tij u bë pas vlerësimeve për performancë të dobët në drejtimin e strukturës vendore të policisë, në një periudhë kur në territorin e qarkut u evidentuan dhe asgjësuan disa parcela të mbjella me kanabis.
Pas largimit nga Shkodra, Berberi ishte caktuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në sektorin e Analizës.
Pas incidentit të raportuar në zyrat e Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të Berberit nga detyra.
Në të njëjtën kohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur procedurat për hetim disiplinor, ndërsa drejtoresha e Burimeve Njerëzore ka depozituar kallëzim penal pranë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për ofendime dhe kërcënime të pretenduara gjatë ushtrimit të detyrës.
Rasti po verifikohet nga AMP dhe pritet sqarimi i plotë i rrethanave të ngjarjes.


