SHBA zgjat edhe me një vit gjendjen e emergjencës për Ballkanin Perëndimor, përfshihet edhe Shqipëria

SHBA zgjat edhe me një vit gjendjen e emergjencës për Ballkanin

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të zgjasin edhe me një vit gjendjen e emergjencës kombëtare që lidhet me Ballkanin Perëndimor.

Vendimi është formalizuar përmes një urdhri të firmosur nga Presidenti Donald Trump dhe konfirmon se Uashingtoni vijon ta konsiderojë situatën në rajon si një çështje me ndikim në sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane.

Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, masat do të mbeten në fuqi përtej datës 26 qershor 2026, afati kur përfundonte zgjatja e mëparshme e emergjencës.

Gjendja e emergjencës për Ballkanin Perëndimor është shpallur fillimisht më 26 qershor 2001 përmes Urdhrit Ekzekutiv 13219.

Në atë periudhë, masa kishte si qëllim adresimin e kërcënimeve që lidhen me dhunën ekstremiste në Maqedoninë e Veriut dhe pengesat ndaj zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në rajon, përfshirë Marrëveshjen e Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Me kalimin e viteve, fushëveprimi i këtij urdhri është zgjeruar.

Në vitin 2021, SHBA përfshiu zyrtarisht edhe Shqipërinë në kuadrin e emergjencës, duke argumentuar se korrupsioni i përhapur, minimi i institucioneve demokratike dhe pengimi i proceseve të integrimit euroatlantik vazhdojnë të jenë probleme serioze në rajon.

Shtëpia e Bardhë kujton gjithashtu se ndryshimet më të fundit janë bërë përmes një urdhri ekzekutiv të firmosur më 8 janar 2025, i cili synon individë dhe grupe që, sipas autoriteteve amerikane, cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Dokumenti nënvizon se korrupsioni domethënës, dobësimi i sundimit të ligjit dhe përpjekjet për t’iu shmangur sanksioneve amerikane mbeten faktorë shqetësues.

Për këtë arsye, administrata amerikane ka vendosur që emergjenca kombëtare të vijojë edhe për një vit tjetër.

Njoftimi pritet të publikohet në Regjistrin Federal dhe do t’i përcillet Kongresit të Shteteve të Bashkuara sipas procedurave ligjore në fuqi.

EMISIONET