Debat në Komisionin e Ligjeve për ndryshimet në SHISH/ Bylykbashi: Mund të keqpërdoren për qëllime politike

Debat në Komisionin e Ligjeve për ndryshimet në SHISH/

Në Komisionin parlamentar të Ligjeve është diskutuar projektligji për disa ndryshime në ligjin e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), ku janë shfaqur qëndrime të ndryshme mes mazhorancës dhe opozitës.

Gjatë mbledhjes, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ngriti shqetësime se ndryshimet e propozuara, të lidhura me “stabilitetin e brendshëm dhe rajonal”, mund të hapin rrugë për përdorim politik të institucionit.

Ai ngriti pyetjen nëse këto ndryshime mund ta çojnë SHISH drejt një abuzimi politik, duke kërkuar më shumë garanci për pavarësinë e shërbimit.

Në përgjigje, përfaqësuesja juridike e SHISH, Armanda Dhima, sqaroi se shërbimi mbetet apolitik dhe jashtë çdo ndikimi politik, duke shtuar se strukturat e inteligjencës në asnjë vend nuk publikojnë të dhëna dhe operojnë me buxhete të klasifikuara.

Debati u shoqërua edhe me një ndërhyrje të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili vlerësoi praninë e grave në drejtimin e institucioneve dhe në SHISH, duke përmendur se në këto struktura tradicionalisht kanë dominuar burrat.

Ai shtoi se përfaqësimi i grave në pozicione të tilla është një zhvillim pozitiv dhe nuk përbën diskriminim ndaj burrave, por një balancim në administratë.

Në përfundim të diskutimeve, ndryshimet në ligjin e SHISH u miratuan me 7 vota pro në komision dhe do të kalojnë për shqyrtim në seancë plenare në Kuvend.

EMISIONET