AKEP: Interneti dominues tek shqiptarët, përdorimi i shërbimeve celulare u përmirësua në tremujorin e dytë

AKEP: Interneti dominues tek shqiptarët, përdorimi i shërbimeve

Përdorimi i shërbimeve celulare shfaqi një përmirësim të dukshëm në tremujorin e dytë të këtij viti. Interneti po bëhet gjithnjë e më dominues në mënyrën se si shqiptarët e përdorin aparatin celular, por megjithatë në tremujorin e dytë të këtij viti u vërejt një rritje edhe në trafikun e thirrjeve.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), trafiku total i internetit nga rrjetet celulare u rrit me 13.2% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Konsumi mesatar i internetit për çdo përdorues arriti në 9.84 GB (gigabyte) internet në muaj, në rritje me 11.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përveç përdorimit të internetit për qëllime informimi, pune apo zbavitjeje, edhe thirrjet dhe mesazhet e shkruara po përcillen më shumë nëpërmjet aplikacioneve, si whatsapp, duke ulur gradualisht përdorimin e shërbimeve tradicionale. Kjo po bën që kapacitetet transmetuese të internetit të jenë gjithnjë e më të rëndësishme në ofrimin e shërbimeve celulare.

Megjithatë, trafiku i thirrjeve e frenoi tendencën rënëse, karakteristike prej disa vitesh.

Trafiku i thirrjeve dalëse u rrit me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, numri i mesazheve të shkruara pësoi rënie vjetore me 1.9%.

Çdo abonent e përdori mesatarisht celularin për 143 minuta në muaj, 10.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa, numri i mesazheve të shkruara ishte 13 për përdorues në muaj, me një rënie të lehtë prej 0.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i përdoruesve të shërbimeve celulare (që në fakt matet si numër i kartave SIM ose i numrave celularë aktivë) shënoi përsëri në tremujorin e dytë të vitit, me 1.1% më pak krahasuar me një vit më parë.

Ulja e numrit të përdoruesve të telefonisë celulare duket të jetë edhe një tendencë afatgjatë. Në harkun e një dekade, numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare ka rënë me gati 30%.

Kjo mund të shpjegohet me faktorë të brendshëm të tregut, por ndoshta edhe me faktorë demografikë.

Numri i operatorëve celularë është ulur nga katër në dy, ndërkohë që është gjithnjë e më pak e përhapur që një përdorues të mbajë më shumë se një numër celular. Kjo tendencë ishte mjaft e përhapur afërsisht deri para një dekade, para të ndalohej diferencimi i çmimeve për thirrjet brenda rrjetit dhe ato jashtë rrjetit.

Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar numrin e përdoruesve në vitet e fundit është edhe marrëveshja për heqjen e tarifave roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke qenë se një pjesë e mirë e vizitorëve të huaj në Shqipëri vijnë nga vendet fqinje, ata tashmë nuk e kanë më të nevojshme për të përdorur numra shqiptarë për komunikimin e tyre, gjatë kohës që ndodhen në Shqipëri. Gjithmonë në horizontin afatgjatë, edhe tendencat demografike negative dhe tkurrja e popullsisë mund ta shpjegojnë pjesërisht rënien e numrit të përdoruesve aktivë.

Sipas të dhënave të AKEP, dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura në vlerën 27.93 miliardë lekë, në rritje me 8.9% krahasuar me një vit më parë.

Në total, dy operatorët celularë fituan afërsisht 1.68 miliardë lekë për 2024, ndërsa viti 2023 ishte mbyllur me një fitim neto në vlerën e 370 milionë lekëve. Me këtë shifër, dy operatorët celularë kanë arritur fitimin më të lartë që prej vitit 2019. Rritja e çmimeve të shërbimeve të komunikimit pas përqendrimit të tregut të në dy operatorë të vetëm po ndikon pozitivisht bazën e të ardhurave të operatorëve dhe rritjen e fitimeve të tyre. / Monitor

EMISIONET