Naftëtarët e Ballshit, në ditën e nëntë të grevës së urisë, kërkuan reagimin e presidentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kryeopozitarit Lulzim Basha, për gjetjen e një zgjidhje ligjore për problemet e tyre. Në rast se zgjidhja për pagat e rinisjen e punës do të mungojë, thonë se ata nuk do të tërhiqen nga greva.

Në ditën e 9 të grevës së urisë, thirrja naftëtarëve shkoi direkt për krerët e shtetit dhe politikës.

Kreu i Sindikatës u hapi derën e negociatave për zgjidhjen ligjore të kërkesave për pagat e prapambetura dhe rinisjen e punës në rafinerinë e naftës.

“Kërkoj një zgjidhje ligjore, të gjithë ata që kanë në dorë zgjidhjen duhet të reagojnë një orë e më parë. Në të gjitha mediat kam bërë një thirrje për presidentin, kryetarin e opozitës, kryeministrin. Gjithëkush që ka në dorë zgjidhje për naftëtarët, dera është e hapuyr, le të vijnë dhe të negociojnë me ne”.

Por ndërsa sinjalet për dialog mungojnë, dhe gjendja e grevistëve vijon të rëndohet ditë pas dite, ata shprehen të vendosur për të vazhduar protestën ekstreme.

Edhe gratë naftëtare kanë shprehur gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar grevës së urisë, kërkesë që është refuzuar nga kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar.

“Nuk do të pranojmë asnjë zgjidhje më që të futen naftëtarët për tre muaj dhe përsëri të dalin në një grevë. Nuk pranojnë naftëtarët një zgjidhje të tillë. Zgjidhje ekstreme tjetër është që le të mbyllet rafineria, por të na japin atë që na takon”.

Siç kanë bërë që në nisje të grevës, naftëtarët refuzojnë që ti drejtohen spitalit të Ballshit, por thonë se serumet dhe trajtimin për problemet shëndetësore do ta marrin vetëm në ambientin ku zhvillojnë grevën.